Lulzim Basha po synon të arrijë një marrëveshje parazgjedhore me aleatët, para protestës së 16 shkurtit.
Aleatët opozitarë kanë mbi tryezë një platformë bashkëpunimi, ku Partia Demokratike, si partia më e madhe në opozitë ngarkohet të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet me të gjitha partitë nënshkruese të platformës së bashkëpunimit.
Sipas platformes së bashkëpunimit, që TCH disponon, Partia Demokratike iu propozon aleatëve të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, të cilat duhet të përgatiten nga një qeveri tranzitore.
Pjesë e mandatit të qeverisë tranzitore është edhe realizimi i Reformës Zgjedhore, por në dokument nuk flitet për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një kërkesë e vazhdueshme e aleatëve të demokratëve.
“Deklarojmë se kemi vendosur daljen në një koalicion të bashkuar opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie tranzitore, me mandat të posaçëm për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit; si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje”, thuhet në draftmarrëveshje.
Kryedemokrati ka nisur diskutimin kokë më kokë të kësaj platforme me aleatët. I pari që ngjiti shkallët e selisë blu këtë të hënë ishte kryerepublikani Fatmir Mediu, i cili nuk ndau detaje nga takimi i shkurtër që pati me Bashën.
Negociatat nuk duken të lehta, për sa kohë aleatët kanë shprehur qëndrimin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, për të cilin thonë se penalizon partitë e vogla.
Publikisht, republikanët janë shprehur për një sistem proporcional me lista të hapura, ndërsa idenë e ndryshimit të sistemit zgjedhor e kanë mbështetur edhe demokristianët e Ndokës dhe LZHK-ja e Dash Shehit.