Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar një ditë pasi Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga Janari synohet që t’i rritet rroga mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë.
Basha thotë se ata kanë nevojë për mbështetje dhe mbrojtje të veçantë nga shteti për shërbimin që i kanë bërë vendit, sidomos në këtë kohë të vështirë, megjithatë rritja e rrogës duhet të jetë reale dhe jo thjesht një premtim elektoral.
“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ti trajtuar me dinjitet personelin shëndetësor. Por kjo është e pamundur sa kohë që kemi një qeveri që i çon paratë e taksave të shqiptarëve tek koncesionet korruptive, dhe shpenzimet për shëndetin publik janë më të ulëtat në rajon”, shkruan Basha.
Më tej, kryetari i opozitës shton se nëse vjen në qeveri do të anulojë koncesionet korruptive dhe paratë do të përdoren për mbështetje për mjekët dhe infermierët.
“Me planin tonë ne do të mundësojmë ndryshimin e madh në shëndetësi me paga dinjitoze të niveleve rajonale për ta: 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët”, thotë Basha.
Kryetari i PD-së shton se qeveria aktuale është treguar mosmirënjohëse me mjekët dhe infermierët gjatë pandemisë.
“Pa asnjë vonesë tjetër, qeveria Rama duhet t’u japë atyre shpërblimin e premtuar prej 1000 euro. Stafet mjekësore janë profesioni më jetik i vendit. Atyre ju detyrohemi vepra dhe jo premtime te pambajtura”, shkruan Basha.