Aktualitet Covid-19 i merr jetën epidemiologut të njohur

Covid-19 i merr jetën epidemiologut të njohur

Një tjetër mjek i njohur është ndarë nga jeta për shkak të koronavirusit. Mjeku epidemiolog, Vilson Topulli, nuk e fitoi dot betejën me Covid-19.

Ka qenë Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino që ka bërë të ditur këtë lajm të trishtë.

“Kjo pandemi na mori sot kolegun tonë të palodhur Vilin, Vilson Topullin. Me Vilin jam njohur gjatë epidemisë së kolerës në vitin 1994. Më pas punova përreth 16 vite me të. Vili ishte personi që njihte çdo skutë në Shqipëri e njihte vendin dhe këdo që punonte në shëndet publik. Një njeri i palodhur”, shkruan ajo.

Bino shton se Topulli ka qenë historia dhe kujtesa e ISHP-së pasi ka punuar aty që prej moshës 19-vjeçare. Ndër të tjera aajo i shpreh ngushëllime familjarëve të saj.

“Nuk mund ta dinte se vite më pas një pneumoni e tille do t’i merrte jetën. Të na falësh Vili që nuk të mbrojtëm e nuk të shpëtuam dot. Të qoftë i lehtë dheu kolegu jone i mirë”, shkruan Bino.

Mësohet se Topulli ka humbur jetën dy ditë më parë, më 24 Gusht.