Lulzim Basha gjeti mbështetës në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar, ku veç shkarkimeve të 11 anëtarëve të kryesisë dhe kryetarit të këtij këshilli, Edi Paloka u miratua edhe një rezolutë që dënon lëvizjen e Berishës, që Basha e cilësoi si “lëvizja e parë antiamerikane pas 30 vitesh”, duke e krahasuar Sali Berishën me Enver Hoxhën.
Në lidhje me shkarkimet, Basha tha se ato nuk janë përjashtime nga partia, por shkarkime nga funksionet të 11 emrave, mes tyre edhe Edi Paloka për shkalje të statutit dhe pjesëmarrje në Kuvendin e Berishës.
Emra si Jemin Gjana, Flutura Açka, Roland Bejko, Ferdinand Xhaferaj i dhanë përkrahjen në vendimet e marra. Gjatë fjalës së saj, deputetja Açka sugjeroi që tani është koha që Basha të dalë në bazë dhe të takojë demokratët. Por, Lulzim Basha tha se një vendim i tillë do të përçante edhe më shumë Partinë Demokratike.
“Të zbres në bazë për të vënë re çfarë? Kush bën karvanin më të gjatë të makinave? Kush mbush sallat me njerëz? Çfarë arrijmë?! Të vendosim në presion demokratët, a je këtej, a je andej?! Ju si do të ndiheshit nëqoftëse do ju merrnim në telefon nga selia të mbushnim sallat se vjen kryetari i PD për t’i bërë karshillëk një njeriu që është në betejë për interesa personale”, ka deklaruar Basha.
Kreu i PD foli për sulme dhe presione të pashembullta që po u bëhen demokratëve.
“Ka presion dhe kërcënim nga ish-zyrtarë të lartë, apo zyrtarë që kërcënojnë anëtarë të Këshillit kombëtar për të qenë pjesë e mbledhjes. Është e papranueshme të mbyllim sytë. Unë e refuzoj këtë dhe ftoj ta refuzojë çdokush prej nesh”, deklaroi ai.
Gjatë mbledhjes deputeti i Durrësit, Ferdinant Xhaferaj tha se ka “zëra që thonë se kryetari nuk bind”. “Po, e vërtetë, sepse mes nesh ka qenë dyshimi a kemi një kryetar apo kemi dy. Tani është koha që kryetari të drejtojë pa dualitet dhe ne duhet ta ndjekim”, u shpreh ai.