Kryesore Këshilli Kombëtar i PD shkarkon Edi Palokën dhe 9 anëtarë të Kryesisë

Këshilli Kombëtar i PD shkarkon Edi Palokën dhe 9 anëtarë të Kryesisë

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka zhvilluar një votim të fshehtë për propozimin e shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë që shkelën vendimin e kryesisë dhe sipas tyre organizuan struktura paralele.

251 anëtarë ishin dakord me propozimin e Kryesisë për të shkarkuar kryetarin e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka; anëtarët e kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi dhe sekretarët: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi, Ledina Mandia.

Gjithsej kishin votuar 257 anëtarë këshilli nga 479 anëtarë që janë në total. Jemin Gjana tha se 4 vota ishin kundër shkarkimit dhe 2 fletë votimi rezultuan të pavlefshme.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha se sot nuk do të merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim pas disa anëtarë të Kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e Kryesisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar iu përgjigjën një pyetjeje në fletën e votimit që ishte: A jeni dakord me propozimin e kryesisë për shkarkimin e; Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka; Anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi; Si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi, Ledina Mandia.

Ndërkohë ështrë miratuar edhe shkarkimi i 11 kryetarëve të degëve të PD që u ishin bashkuar “Foltores” së Sali Berishës.

“Foltorja” e Sali Berishës u cilësua si “një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale”.