Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha doli në një deklaratë publike ku iu referua vendimit të presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve dhe të reagimit të ekzekutivit që mendon për shkarkimin e kreut të shtetit.
Basha deklaroi se “ka dy të vërteta, nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor, dhe nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës”.
Ai vijoi duke thënë se “Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë. Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit. Janë të dyja blofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët. Edi Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit”.