Politika Basha zotohet: Qeveria e ardhshme nuk do të gjendet më e papërgatitur...

Basha zotohet: Qeveria e ardhshme nuk do të gjendet më e papërgatitur para fatkeqësive natyrore

Kreu i Partisë Demokratike, nga Qendra Operacionale e Emergjencave Civile në rajonin Friuli-Venezia-Giulia, në Itali, deklaroi se ka rënë dakord që “përvoja e tyre e jashtëzakonshme të transferohet edhe në Shqipëri për të trajnuar ekipet shqiptare”.

“Është zotimi im që qeveria e ardhshme të mos gjendet më e papërgatitur para fatkeqësive natyrore”, tha Basha në një video të postuar në Facebook.

“Lajmi që dua të ndaj sot për ju të dashur miq se me autoritetet e rajonit Friuli-Venezia-Giulia dhe me drejtuesit e kësaj Qendre Operative të Mbrojtjes Civile, kemi rënë dakord që kjo përvojë e jashtëzakonshme, në nivel botëror do të thoja, jo vetëm në nivel europian, do të shërbejë për t’u transferuar dhe për të trajnuar emergjencat civile shqiptare. Është zotimi im që qeveria e ardhshme që të mos gjendet e papërgatitur para fatkeqësive natyrore qofshin këto tërmete apo tragjedi të tjera apo përmbytje, që edhe ne të kemi një instrument të përgjigjes së menjëhershme për t’iu ardhur menjëherë në ndihmë banorëve, për të organizuar pa asnjë vonesë operacionet e vërteta të kërkim shpëtimit me mjete dhe me personel të kualifikuar për të shpëtuar jetë dhe për të kufizuar sa është e mundur dëmin në jetët njerëzore dhe në plagosjen e qytetarëve, për të vlerësuar dëmet e çdo fatkeqësie natyrore pa humbur kohë, pa propagandë, pa shfaqje por me kapacitete njerëzore, me manuale, me njerëz të përgatitur, të trajnuar me mjete të mjaftueshme dhe pastaj për të vepruar menjëherë për të riparuar këto dëme si dhe për të strehuar gjatë kohës së riparimit të gjithë personat e prekur nga fatkeqësia natyrore”, tha Basha.