Një ditë që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e tifozëve të Bayer Leverkusen.
Për herë të parë në histori, Bayer Leverkusen shpallet kampioni i Gjermanisë, dhe më në fund, thyen dominimin 10-vjeçar të Bayern Mynihut.
Një moment i madh për “aspirinat”, një moment i madh për Xabi Alonson, një moment i madh për Granit Xhakën.
Në prag të 120-vjetorit, Alonso dhe “gladiatorët” e tij i bënë dhuratën më të çmuar klubit, që deri në këtë sezon ishte mjaftuar me statusin e nënkampionit, madje pesë herë në histori.
Një sezon perfekt, një sezon jo vetëm për t’u krenuar, por edhe për t’u studiuar, me “aspirinat” që këtë herë ishin jo ilaçi, por dhimbja e kokës për çdo kundërshtar në Bundesliga.
Titulli erdhi matematikisht pasi skuadra e Xabi Alonso-s bëri detyrën edhe në sfidën e javës së 29-të, duke fituar 5-0 ndaj Werder Bremen në “Bay Arena”.
Zero humbje dhe madje Bayer Leverkusen në këtë sezon, tani ka barazuar edhe rekordin e Juventusit në Serie A, të vendosur në edicionin 2011-12 me 43 ndeshje radhazi pa humbje.