Sport Bayer Leverkusen shkruan historinë, feston titullin e parë të Bundesligës

Bayer Leverkusen shkruan historinë, feston titullin e parë të Bundesligës

Një ditë që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e tifozëve të Bayer Leverkusen.

Për herë të parë në histori, Bayer Leverkusen shpallet kampioni i Gjermanisë, dhe më në fund, thyen dominimin 10-vjeçar të Bayern Mynihut.

Një moment i madh për “aspirinat”, një moment i madh për Xabi Alonson, një moment i madh për Granit Xhakën.

Në prag të 120-vjetorit, Alonso dhe “gladiatorët” e tij i bënë dhuratën më të çmuar klubit, që deri në këtë sezon ishte mjaftuar me statusin e nënkampionit, madje pesë herë në histori.

Një sezon perfekt, një sezon jo vetëm për t’u krenuar, por edhe për t’u studiuar, me “aspirinat” që këtë herë ishin jo ilaçi, por dhimbja e kokës për çdo kundërshtar në Bundesliga.

Titulli erdhi matematikisht pasi skuadra e Xabi Alonso-s  bëri detyrën edhe në sfidën e javës së 29-të, duke fituar 5-0 ndaj Werder Bremen në “Bay Arena”.

Zero humbje dhe madje Bayer Leverkusen në këtë sezon, tani ka barazuar edhe rekordin e Juventusit në Serie A, të vendosur në edicionin 2011-12 me 43 ndeshje radhazi pa humbje.