Edhe pas ndërprerjes rreth dy mujore Bayerni i Mynihut vijon të mbetet klubi për t’u mundur në Gjermani, pasi u rikthyer në fushë ditën e sotme dhe ia doli të marrë një fitore 0-2 në një transfertë jo fort të lehtë si ajo ndaj Union Berlin.
Skuadra e drejtuar nga Hans Flick e nisi mjaft mirë takimin dhe arriti të kalojë në avantazh me anë të Thomas Muller në minutën e 19’, por ndërhyrja e VAR-it zhvlerësoi golin për shkak të një pozicioni jashtë loje.
Megjithatë bavarezët do ta mbyllnin pjesën e parë në avantazh, pasi golshënuesi i skuadrës nga Mynihu, Robert Lewandowski u tregua i saktë në ekzekutimin e një 11-metërshi në minutën e 40-ë, duke dërguar topin në rrjetë.
Union Berlin provoi të reagojë, por nuk arriti të kërcënojë seriozisht kuadratin e Neuer, ndërsa në minutën e 80’ ishte mbrojtësi francez Benjamin Pavard që shënoi për herë të dytë në portën e vendasve dhe vulosi fitoren e bavarezëve.
Me këtë fitore Bayerni i Mynihut konfirmon pozitat e forta në krye të renditjes, pasi ngjitet në kuotën e 58 pikëve, 4 më tepër sesa Borussia Dortmund, që pozicionohet në vendin e dytë dhe i ka lëshuar sfidën për titullin kampion