Sport Bayern Mynih, Nagelsmann pagoi shtrenjtë ‘love story’-n me gazetaren e ‘Bild’

Bayern Mynih, Nagelsmann pagoi shtrenjtë ‘love story’-n me gazetaren e ‘Bild’

‘Pas një burri të madh qëndron gjithmonë një grua e madhe’ – ka thënë Virginia Woolf. Por ndonjëherë është një grua që mund të krijojë ndonjë problem, si në rastin e historisë së Julian Nagelsmann dhe Bajernit. Një histori dashurie fillimisht, e mbyllur në mënyrë të befasishme.

Duke kërkuar shkakun e një largimi që nuk justifikohet nga rezultatet, me skuadrën në vend të dytë dhe mes 8 më të mirave të Championsit. Shkakun e kanë qjetur në fakt faqet e gossip-it, por edhe gazetat serioze. Një nga arsyet e divorcit të trajnerit të ri nga klubi më i fuqishëm në Gjermani ka një emër: Lena Wurzenberger, ish-gazetare e ‘Bild’.

Vajza, ose më mirë profesioni i saj, nuk pëlqehej aspak nga një pjesë e lojtarëve të Bayernit, të cilët nuk kishin besim tek ajo.

Ka një rregull të shenjtë në botën e futbollit të meshkujve: fjalët e dhomës së zhveshjes nuk thuhen jashtë. Është historia e zakonshme e rrobave të pista, që duhen larë në shtëpi. Dikush në skuadër druhej se Nagelsmann i lante edhe në sallon apo në tavolinën e mëngjesit dhe që aty përfundonin në centrifugën e ‘Bild’. Lena nga ana e saj ishte ankuar shpesh në redaksi: kur lidhja e saj me trajnerin u bë publike, drejtuesit e gazetës e spostuan nga redaksia sportive te kronika e Mynihut, por edhe kjo nuk mjaftoi.

Zërat për trajnerin dhe gazetaren vazhdonin të qarkullonin dhe publikoheshin edhe në gazetë pa e lajmëruar. Këtë gjë Lena nuk e pranonte dhe në fund, para shkarkimit të Nagelsmann, ajo u largua nga ‘Bild’. Nagelsmann pret një tjetër impenjim me klubet, ndërsa ajo e ka gjetur në zyrën e komunikimit të ‘Bmw’.

Lena dhe Julian u njohën kur ajo ndiqte Bajernin. Për të Nagelsmann la gruan Verena, me të cilën ka dy fëmijë. Gjëra që ndodhin, por nëse e dashura e re nuk do të ishte gazetare sportive, te Bayerni askush nuk do të merrej me ndryshimet në jetën private të trajnerit.

Fakt është që te Bayerni gjërat nuk po funksiononin si më parë. Nagelsmann dhe Lena ishin me pushime, duke bërë ski gjatë ndërprerjes së kampionatit, kur erdhi telefonata surprizë e administratorit të deleguar të klubit, Oliver Kahn, i cili komunikonte vendimin se trajneri ishte zëvendësuar nga Thomas Tuchel.

Ish-lojtari i Gjermanisë, Markus Babbel, tha: “Di që raporti i tij me Lenën ishte një argument i shumëdiskutuar në dhomat e zhveshjes së Bayernit”. Nëse Lena ka luajtur një rol negativ në shkarkimin e Nagelsmann, nuk mund të thuhet me siguri. Janë zëra si ato të dhomës së zhveshjes…