Kryesore Elon Musk: Inteligjenca artificiale, një rrezik për njerëzimin

Elon Musk: Inteligjenca artificiale, një rrezik për njerëzimin

Elon Musk dhe qindra ekspertë botërorë kanë nënshkruar një apel duke bërë thirrje për një pauzë gjashtëmujore në kërkimin e inteligjencës artificiale, duke përmendur “rreziqe të mëdha për njerëzimin”.

Apeli i referohet një teknologjie më të fuqishme se ChatGPT 4, një model i hapur i inteligjencës artificiale i lançuar në mes të marsit, raporton AFP.

Në një peticion të publikuar në faqen e internetit Future of Life, ata kërkojnë një moratorium mbi kërkimin derisa të vendoset një sistem sigurie, duke përfshirë organe të posaçme rregullatore për të mbikëqyrur sistemet dhe teknikat e inteligjencës artificiale që do të ndihmojnë në dallimin e vërtetë nga artificialja, si dhe institucione të afta për të menaxhuar “përçarje dramatike ekonomike dhe politike (veçanërisht për demokracinë) që do të shkaktojë inteligjenca artificiale”.

Peticioni bashkon figura që tashmë kanë shprehur publikisht frikën për inteligjencën artificiale të pakontrolluar që do t’i kalonte qeniet njerëzore, dhe mes tyre, përveç Elon Musk, pronari i Twitter-it dhe themeluesi i SpaceX dhe Tesla-s, ndodhet dhe bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, anëtar i laboratorit të inteligjencës artificiale të Google Deep Mind, kreu i Stability AI Emad Mostaque – një konkurrent i OpenAI, si dhe ekspertë të inteligjencës artificiale në universitetet amerikane, inxhinierë të Microsoft dhe të tjerë.

“Gara e pakontrolluar e laboratorëve të AI”

Sam Altman, CEO i OpenAI, i cili krijoi ChatGPT, tha se ishte “pak i frikësuar” nga krijimi i tij nëse do të përdorej për dezinformim në shkallë të gjerë ose sulme kibernetike.

“Kompania ka nevojë për kohë për t’u përshtatur”, tha Altman për ABC News.

Në muajt e fundit, ne kemi parë që laboratorët e inteligjencës artificiale të angazhohen në një garë të pakontrolluar për të zhvilluar dhe vendosur një tru dixhital gjithnjë e më të fuqishëm që askush, madje as krijuesit e tij, nuk mund ta kuptojnë, parashikojnë apo kontrollojnë në ndonjë mënyrë kuptimplote, thuhej në peticion.

Autorët e peticionit pyesin nëse duhet t’i lënë makinat “të vërshojnë kanalet tona të informacionit me propagandë dhe gënjeshtra”, nëse duhet të automatizojnë të gjitha punët, të zhvillojnë mendje jonjerëzore, të cilat një ditë mund të jenë më të shumta, më inteligjente dhe të zëvendësojnë njerëzit.

“A duhet të rrezikojmë të humbasim kontrollin e qytetërimit tonë”, pyesin ata, duke deklaruar se vendimet për këtë nuk duhet të merren nga drejtues të firmave teknologjike.