Sport Bayern vendos: Tuchel largohet në fund të sezonit. Ëndrra është Xabi Alonso

Bayern vendos: Tuchel largohet në fund të sezonit. Ëndrra është Xabi Alonso

Rrugët e Thomas Tuchel dhe Bayern Mynih do të ndahen në fund të sezonit. Palët kanë gjetur një akord miqësor dhe klubi bavarez ka bërë njoftimin zyrtar për të sqaruar situatën.

“Kemi rënë dakord që ta mbyllim raportin tonë të punës në fund të këtij sezoni. Deri atëherë do të vazhdoj të bëj gjithçka që është e mundur me stafin tim për të arritur suksesin”, – ka thënë Tuchel.

Xabi Alonso, trajneri aktual i Bajer Leverkusen, është ëndrra e klubit më të titulluar në Gjermani, por duhet të fitojë konkurrencën e fortë me Liverpulin. Kandidatët e tjerë janë Antonio Conte, Zinedin Zidane dhe José Mourinho., që të gjithë emra shumë të njohur të trajningut botëror.

Nuk do të ketë ndryshim deri në qershor. Kjo është linja që ka zgjedhur Bayern. Klubi bavarez do të vazhdojë me Tuhel para se të bëjë një revolucion në verë. Një lloj ‘dead man ëalking’ për trajnerin, që e ka të qartë ‘divorcin’ në fund të një sezoni shumë larg pritshmërive.

“Gjatë një diskutimi të thellë kemi arritur në vendimin për përfundimin e bashkëpunimit në verë. Objektivi ynë është që të vazhdojmë drejtimin futbollistik me një trajner të ri në sezonin 2024/25, – ka thënë administratori i deleguar i Bayern, Jan-Christian Dreesen – Deri atëherë çdo individ i klubit duhet të japë maksimumin në Champions dhe në Bundesligë”.

Tuchel mori vendin e Nagelsmann më 24 mars 2023 dhe ka kontratë deri më 30 qershor 2025, por nuk arriti të marrë rezultatet e kërkuara. Pasi fitoi titullin, falë vetëvrasjes së Borusia Dortmund, ai humbi Superkupën e Gjermanisë, u eliminua nga kupa dhe tani është 8 pikë prapa Leverkusenit në kampionat.