Sport Bayerni ngec në Mynih. Një spanjoll shpëton Leipzigun

Bayerni ngec në Mynih. Një spanjoll shpëton Leipzigun

Bayern Munchen nuk shkoi më shumë se një barazim përballë Bayer Leverkusen në Bundesliga. Një pikë në shtëpi edhe për Leipzigun, teksa Wolfsburg, Eintracht Frankfurt dhe Bochum morën pikët maksimale në javën e 25-të.

Kampionët në fuqi e mbyllën në barazim 1-1 përballjen shtëpiake me Leverkusen. Niklas Sule zhbllokoi takimin në minutën e 18-të, por miqtë arritën barazimit falë autogolit të Thomas Muller në fundin e pjesës së parë.

Djemtë e Nagelsmann ushtruan presion në fraksionin e dytë të takimit, por goli i fitores nuk erdhi. 59 pikë numëron Bayerni, me Dortmundin ndjekës që mund të reduktojë diferencën në 6 pikë nëse fiton nesër përballë Arminia Bielefeld.

I njëjti rezultat u regjistrua edhe në Leipzig-Freiburg. Dy skuadrat po garojnë për një biletë në Champions League. Boshnjaku Ermedin Demirovic kaloi Freiburgun në avantazh në pjesën e parë, por nënkampionët shënuan në fund me anë të Angelinos, duke evituar humbjen.

Eintracht Frankfurt fitoi 1-4 në kryeqytet përballë Hertha Berlin, duke qenë skuadra e vetme udhëtuese që sot mori pikët maksimale. Festë edhe për Bochum e Wolfsburg, që mposhtën 2-1 dhe 1-0 Greuther Furth dhe Union Berlin.