Klubi i Bayern Munchen ka vendosur t’i besojë trajneri Hansi Flick deri në fund të sezonit. Zëvendësi i Niko Kovac ka bindur drejtuesit në këto ndeshje që ka drejtuar kampionët e Gjermanisë dhe do të vazhdojë punën pa u shqetësuar. Ndeshja e fituar dje ndaj Wolfsburg me rezultatin 2-0 i vendosi vulën të ardhmes së tij.
Drejtuesi i lartë i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge dhe drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic, kanë deklaruar pas ndeshjes se tekniku aktual do të qëndrojë të paktën deri në fund të sezonit në krye të gjermanëve.
“Bayern është i lumtur me punën e Hansi Flick. Si trajner, por dhe si drejtues ka zhvilluar ekipin dhe i ka plotësuar objektivat tona. Kemi fituar 6 ndeshje në 6 në grupin e Champions, duke vendosur një rekord të ri në historinë tonë të Champions League. Në kampionat jemi afruar me kreun e renditjes. Jam i bindur se Bayerni do të vazhdojë në rrugën e duhur nën drejtimin e Flick”, – tha ai.