Banka Botërore në Kosovë ka paralajmëruar Qeverinë e Prishtinës se borxhi publik mund të shkojë në 30 % të PBB-së deri në vitin 2025-ën, nëse rritja e shpenzimeve vazhdon të tejkalojë rritjen e të ardhurave.
Në raportin e Bankës Botërore të publikuar të martën në Prishtinë, citohet se rreziqet fiskale për këtë periudhë janë Ligji i ri për pagat publike dhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen sociale. Deri në vitin 2025, sipas raportit, borxhi publik dhe interesat mund të arrijnë 30 për qind të PBB-së nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave.
Në Ligjin për borxhin publik në Kosovë thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të PBB-së.
Borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës në fund të vitit të kaluar arriti në rreth 1.1 miliard euro ose 17 për qind të PBB-së. Nga borxhi i përgjithshëm, sipas një raporti të Ministrisë së Financave, rreth 700 milionë euro i takojnë borxhit të brendshëm, kurse më shumë se 400 milionë euro i përket borxhit ndërkombëtar.
Borxhi publik në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje. Në vitin 2014, vlera e borxhit të përgjithshëm ka qenë 582 milion euro, kurse tri vjet më vonë, në vitin 2017 kjo vlerë ka arritur në rreth një miliard euro.
Rrezikun nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik e theksojnë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike në Kosovë. Sipas tyre, shqetësues është fakti se rritja e borxhit publik mund të rezultojë nga faturat e pagave, transfereve dhe skemave sociale.
Rritja ekonomike e Kosovës
Përfaqësuesit e Bankës Botërore në prezantim të raportit për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, u shprehën se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2019 pritet të rritet me 4.5 për qind, e nxitur kryesisht nga investimet publike dhe private.
Në raport vërehet se sfidë për Kosovën mbetet krijimi i vendeve të reja të punës dhe shpenzimet e larta publike.
Drejtori i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, është shprehur se sa u përket shteteve të rajonit, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Maqedoni, ka lajme pozitive.
Mantovanelli ka thënë se Kosova është ndër vendet me rritjen më të madhe ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Sa i përket Kosovës, ne kemi vlerësuar një rritje për vitin 2018 me 4.2 për qind. Është një prej rritjeve më të mëdha. Kjo është e shtyrë nga investimet private dhe publike. Pastaj eksportimi i shërbimeve që kanë të bëjnë kryesisht me diasporën. Kemi vlerësuar se kjo rritje do jetë e qëndrueshme, por kjo rritje duhet të materializohet edhe me vende të reja pune. Ka një zvogëlim në punëdhënie. Shqetësimi është se nuk ka vende pune. Ka të rinj që dalin nga arsimi dhe dëshirojnë t’i bashkohen tregut të punës. Nga ana e rrezikut po shohim shpenzimet publike që po shkojnë kah pagat dhe pastaj përfitimet e disa kategorive si ata të luftës dhe të tjerëve”, është shprehur Mantovanelli.
Sipas raportit të Bankës Botërore, mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur në vitin 2018, ndërsa shkalla e papunësisë është rritur gjatë vitit të kaluar.
Ai ka folur edhe për projektin ‘Kosova e re’, ku tha se mundësia për të financuar projektet me bazë të thëngjillit është bërë i pamundur nga Banka Botërore.
Mantovanelli ka theksuar se Banka Botërore synon mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme.
Kurse, ekonomistja e Bankës Botërore, Asli Senkal, ka thënë se pavarësisht se rritja ekonomike në Kosovë është e fuqishme, ajo është edhe e cënueshme.
Senkal ka pohuar se edhe shkalla e papunësisë në vitin 2018 është rritur për shkak të shkallës së joaktivitetit. “Kjo nënkupton se Kosova është popullatë e re dhe popullata e aftë për punë është në rritje. Tregu i punës është i vogël me 14.8 për qind, që është tregu më i ultë në rajon”, ka thënë ajo.