Historia e dy vajzave shqiptare që kanë rënë pre e prostitucionit kanë qenë në fokus të një artikulli të publikuar nga BBC.
Sipas prestigjiozes trafiku i qenieve njerëzore në Britani është në rritje.
Shifrat e fundit tregojnë se në vitin 2015, rreth 3266 njerëz kanë qenë viktima të mundshme të trafikimit, numër ky që është rritur vitin që shkoi.
Numri më i madh i të trafikuarve vinte nga Shqipëria, ku rezulton të ketë qenë 600.
“Në një strehë të grave në jug të Shqipërisë viktimat e trafikimit dhe të dhunës janë thjesht nxënëse, 10 ose 12 prej tyre shikojnë me turp dhe ngjajnë tepër të reja. Të gjitha kanë histori të brutalitetit dhe shfrytëzimit. Disa prej këtyre fëmijëve tashmë kanë lindur edhe vogëlushët e tyre, që janë fryt i përdhunimeve”, shkruhet në artikull.
BBC ka publikuar videot ku dy nga vajzat shqiptare rrëfejnë historitë e tyre të dhimbjes dhe tmerrit.
“Seya ishte vetëm 14 vjeç kur u largua nga situata e dhunshme familjare. Ajo kishte rëne pre e një rrjeti trafikimi nga dikush që ajo e konsideronte si të dashurin e saj. Për muaj me radhë është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me disa burra në ditë”, shkruan BBC.
“Unë i urrej ata. Dua të marrin dënimin që meritojnë. Ata të marrin lirinë, të përdorin, të urdhërojnë”, shprehet Seya teksa tregon historinë e saj.
BBC më tej flet pak mbi zhvillimin e Shqipërisë ku e cilëson periudhën pas rënies së komunizmit si kohën në të cilën lulëzoi trafikimi i qenieve njerëzore.
Një tjetër viktimë e trafikimit është Anna. Një vajzë nga një qytet i vogël i Shqipërisë e cila u mashtrua nga një djalë që pretendonte se është i dashuri i saj i cili më pas e shiti në Britaninë e Madhe.
“Isha diku nën tokë. Nuk e kisha idenë se ku ndodhesha, nuk më linin të shikoja. Hyra në ndërtesë më sytë të lidhur”, shprehet 20-vjeçarja e cila ka treguar se deri në momentin e trafikimit ishte e virgjër.
Dy vajzat flasin në gjuhën shqipe në videot e publikuara nga BBC duke e bërë edhe më tragjik për ne rrëfimin e dhimbjes dhe tmerrit që kanë përjetuar.
“Anna ka qarë gjatë gjithë intervistës sonë, megjithatë ka këmbëngulur ta tregonte historinë e saj. Ajo ishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur çdo ditë nga burra të ndryshëm. “Ata bënë gjëra që nuk do të mund t’i kisha imagjinuar kurrë”, është shprehur 20-vjeçarja. Më në fund ka mundur të arratiset dhe ndodhet në një qendër kujdesi këtu në Britani. Ka një fëmijë që i jep arsye të përqendrohet tek e ardhmja dhe të ketë shpresë. Por historia e saj, e Seyas dhe e shumë vajzave të tjera duhet të shkaktojë alarm në Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Europën “, shkruan BBC.
Në shumë raste viktimat janë manipuluar nëpërmjet martesave të rreme dhe mundësive të punësimit.
“Autoritetet shqiptare na lanë të flasim me një të burgosur në Korçë. Ai është Fatos Kapllani i cili po vuan një dënim me 15 vite për trafikim të fëmijëve në Greqi duke i detyruar të punojnë si prostituta dhe lypës. Ai është vetë baba dhe në kohën që trafikoi fëmijë ishte i martuar, gjë që më bëri ta pyes si mundi të bëjë diçka të tillë. ‘Ishte një kohë kur të gjithë bënin gjëra të tilla. Do të ishte e tmerrshme nëse dikush do ta merrte fëmijën tim kështu’, thotë ai me një ngritje të supeve që mund të tregojnë turp ose keqardhje”, e mbyll shkrimin BBC.