Princi i Kurorës Saudite, Muhamed Bin Selman, i njohur ndryshe si MBS, po e transformon dhe modernizon vendin që njihej prej më konservativëve.
Por në të njëjtën kohë, ai e ka zhytur vendin në një luftë me Jemenin, i ka bllokuar të drejtat për protesta mbi të drejtat e grave, si dhe u ka mbyllur gojën shumë klerikëve dhe blogerëve që mendonin qoftë edhe pakëz më ndryshe.
Ai gjithashtu dyshohet të jetë urdhëruesi për heqjen qafe të gazetarit kritik Jamal Khashoggy, jeta e të cilit u shua në mënyrë misterioze fiks një vit më parë.
Por, kush është burri që e quajnë MBS?
Një vëzhgues i kujdesshëm
Gazetari i BBC-së, Frank Gardner, i cili është edhe autor i kësaj analize, vijon rrëfimin si më poshtë:
“Ishte shtatori i vitit 2013 kur mbërritëm në Xhida, nën diellin përvëlues që mezi e duronim. Makina jonë kaloi grilat e sigurisë dhe kështu pas shumë ditësh përpjekjeje arritën të takoheshim me Princin e atëhershëm të Kurorës, Salman bin Abdulaziz.
Për afro 50 vite, Princi Salman (babai i MBS) kishte qenë udhëheqës i Riadit, dhe në këtë pozitë ishte edhe në vitin 2004. Po në këtë vit, sulmues me armë hynë në zyrat e tona të BBC, duke më gjuajtur gjashtë herë, dhe duke më lënë në vend me bindjen se jam i vdekur. Në këtë sulm mbeti i pajetë edhe kameramani im, Simon Cumbers.
Më kanë treguar se princi kishte ardhur të më vizitonte në spital, por unë isha në gjendje kome.
Sot, Salmani është mbret dhe ka shëndet të brishtë. Edhe atëherë, në 2013-ën, mbështetej për bastunin e tij dhe i dridheshin duart.
Ai fliste një anglishte solide me zë të thellë, autoritar, edhe pse biseda ishte miqësore, ku më tregonte se sa shumë i pëlqente Londra.
Ai ka kaluar nëpër shumë ndryshime. Si guvernator i Riadit për pesë dekada, ai ishte dëshmitar i shndërrimit të qytetit nga një shkretëtirë e pluhurosur, në një metropol për pesë milion njerëz.
Gjatë këtij takimi mbretëror, sytë më kapën një të ri që qëndronte në qosh të dhomës, duke marrë shënime në heshtje.
Fillimisht mendova se ai ishte shef kabineti apo sekretar privat i princit. Por veshja e tij e qëndisur me fije të arta tregonte për një status të lartë mbretëror.
Në fund të takimit, iu prezantova këtij vëzhguesi të qetë. Unë jam Princ Mohammed bin Salman”,më tha, duke shtuar me modesti: “Unë jam avokat. Deri tani po flisnit po babin tim.”
Aso kohe, as që e kisha idenë se i panjohuri 28-vjeçar do të bëhej një prek liderëve më të fuqishëm që ka parë bota arabe ndonjëherë.
Dosja “Khashoggy”
Më 2 tetor në ora 13:14, Jamal Khashoggi hyri në një ndërtesë në zonën Levent të Stambollit.
Si gazetar i shquar dhe kritik i hapur i MBS, ai kishte vetëm një punë në konsullatën saudite: të merrte disa letra divorci, në mënyrë që të procedonte martesën me të fejuarën e tij turke.
Por, me të hyrë aty, ai ishte rrëmbyer nga një ekip i agjentëve të inteligjencës, të dërguar nga Rijadi për ta vrarë, shpërbërë dhe asgjësuar trupin e tij, i cili edhe kësaj dite, nuk është gjetur kurrë.
Mijëra kanë vdekur në luftën që shkatërroi Jemenin, qindra kritikë të politikave të MBS-së janë në burgje, e megjithatë u desh që të ndodhte kjo vrasje e ashpër e një gazetari që të e gjithë bota të ngrihet në këmbë.
Me gjithë mohimet zyrtare, agjencitë e inteligjencës perëndimore besojnë se të paktën ka gjasa që MBS të dinte paraprakisht për operacionin për të heshtur Khashoggy-n. Sipas mediave, CIA madje beson se ai e ka urdhëruar eliminimin.
Në një intervistë të transmetuar në 29 shtator me CBS, në “60 Minutes”, princi i Kurorës shkoi aq larg sa të “marrë përgjegjësinë e plotë” për atë që ndodhi. Në një intervistë të mëparshme në PBS ai tha që ngjarja ndodhi “nën kujdesin e tij”. Megjithatë, kjo nuk është njësoj si të pranosh fajësinë, të cilën ai dhe qeveria e tij ende e mohojnë.
Një Saudi më e butë?
Ishte mesnatë e freskët e mesit të dhjetorit kur unë u gjenda në periferi të Dirjah, një para lagje e Riadit.
Një turmë e madhe të rinjsh sauditë, të veshur si perëndimorë, kërceni nën tinguj muzike dhe hargaliseshin në sallë.
Për ta kujdesej David Guetta, DJ francez më i njohur dhe më i paguar në botë.
Risia ishte se shumë prej grave të reja kishin ardhur vetë me automjetet e tyre. Kjo, pas vendimit që MBS mori për të lejuar gratë saudite që të drejtonin makinat pa shoqërim burrash.
Kjo ishte pamja e një Saudie të re, që po modernizohej nga Princi i Kurorës. Argëtimit po i hapej dera, ndërsa masave shtrënguese po i mbyllej.
Për këdo që ka jetuar në vend ose vizituar Arabinë Saudite gjatë 40 viteve të fundit, ky transformim është i jashtëzakonshëm.
I biri i vendit
I lindur më 31 gusht 1985, Muhamed bin Salman u rrit si pothuajse të gjithë 5000 princat e tjerë sauditë, në një botë të ngushtë të rrethuar nga komoditeti dhe privilegji i jashtëzakonshëm.
Si një nga 13 fëmijët, fëmijëria e tij ishte një pallat të madh në Riad në lagjen Mad’her. Shërbëtorët, kuzhinierët, shoferët dhe punonjësit e tjerë e përkëdhelnin çdo tekë të tij.
MBS thuhet të ketë qenë një nxënës i vëmendshëm, i cili gjithmonë ka marrë shënime me kujdes. Një tjetër veçori e rrallë është se ai kalonte kohë me rojet e pallateve dhe merrte mësim edhe nga ata.
Ai kishte mundësi të studionte jashtë vendit në SHBA ose Britani, ashtu siç kishin bërë shumë nga bashkëmoshatarët e tij. Por MBS nuk pranoi. Në vend të kësaj, mori diplomë Bachelor në drejtësi në Universitetin Mbreti Saud. Ky vendim i pazakontë, thonë vëzhguesit, e ka ndihmuar por edhe e ka penguar.
Për shumë sauditë, një komb me patriotizëm të madh, edukimi i tij ekskluzivisht saudit e bën atë një “bir të tokës” tradicionale, dikë me të cilin mund të identifikohen. Por dobësi është se për vite me radhë anglishtja e MBS ishte e dobët dhe ai kurrë nuk ka përqafuar mentalitetit perëndimor që e kanë shumë princër të tjerë.
Por MBS duket të ketë disa merita “jo arabe”. Në një vend ku është normale që burrat të kenë deri në katër gra, MBS zgjodhi të kishte vetëm një. Ai u martua me kushërirën e tij Princeshë Sara bint Mashur bin Abdulaziz al-Saud në vitin 2009. Ata kanë dy djem dhe dy vajza. Kur bëhet fjalë për familjen e tij, MBS është tejet privat, dhe në internet nuk gjendet dot asnjë fotografi e konfirmuar e gruas apo fëmijëve të tij.
Kur MBS ishte rreth 23 vjeç, menjëherë pasi ai u diplomua me suksese të mëdha, babai i tij filloi ta përgatisë atë për një rol të madh.
MBS ka punuar në zyrën e babait të tij, duke e lënë në hije punën e tij si guvernator i Riadit. MBS-i i ri dhe i vëmendshëm pa se si Princi Salman zgjidhi mosmarrëveshjet dhe lidhi kompromise, duke mësuar në mënyrë efektive artin e të bërit biznes.
Në vitin 2013, në moshën vetëm 27 vjeç, MBS u bë kryetar i gjykatës së princit të Kurorës, një trampolinë për fuqi dhe ndikimin. Nga atëherë e më pas, trampolina nuk ndalej.
Për vite me radhë, MBS ka gëzuar mbështetjen e të atit, mbretit Salman, dhe nuk ka asnjë sfidues të sundimit të tij. Brenda rrethit të Gjykatës Mbretërore të MBS ekziston një mendim se “stuhia” rreth rolit të tij të pretenduar në vrasjen Khashoggy dukur do të shpërthejë. Ndoshta kanë të drejtë.
Në shumë aspekte, MBS është Arabia Saudite. Ai nuk është demokrat, ai nuk është reformator politik. Për shumë njerëz, ai është thjesht një diktator i radhës. Por MBS është pa diskutim një modernizues ekonomik dhe social. Dhe në moshën 34 vjeç ai e di se kur mbreti vdes, mund të përfundojë në qeverisjen e vendit më të madh në Lindjen e Mesme jo vetëm për një dekadë, por për 50 vitet e ardhshme, nëse ka jetë.