Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur në një intervistë me rrjetin televiziv britanik, “BBC News” për zgjedhjet e 30 qershorit, por edhe ngërçin politik që pritet të pasojë zgjedhjet e së dielës. Kreu i opozitës ka konfirmuar edhe njëherë se Partia Demokratike nuk i njeh zgjedhjet lokale të ditës së djeshme dhe se sipas tij, i vetmi që e ka pushtetin vendor tanimë është populli.
Basha ka sjellë në vëmendje edhe përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, duke deklaruar se Bashkimi Europian nuk do t’i hapi kurrë “derën” një Shqipërie të korruptuar, ku nuk mungon sundimi i ligjit dhe drejtësia.
“3.5 milionë shqiptarë kishin të drejtë vote në zgjedhjet për kryebashkiakët e rinj të më shumë se 60 qarqeve, por shumë prej tyre zgjodhën të mos votonin. Asnjë kandidat i opozitës nuk merrte pjesë në këto zgjedhje. Kryeministri Edi Rama vendosi të mbajë zgjedhjet lokale edhe pse kandidatët e tij të Partisë Socialiste nuk u përballën me asnjë opozitë në kutitë e votimit. Presidenti po ashtu ishte përpjekur të anulonte zgjedhjet ndërkohë që protestat javore në rrugë, shpesh të dhunshme, kundër kryeministrit vazhdojmë prej muajsh”, shkruan “BBC”.
Intervista e plotë
Ju bëtë thirrje për bojkot të zgjedhjeve. Pse?
Sepse të dielën nuk kishte zgjedhje. Ato i përkujtuan shqiptarëve të kaluarën dhe farsën që mbante regjimi komunist nëpërmjet votimit të kandidatëve nga një parti dhe ushtrimin e kontrollit të plotë nga një parti e vetme, kështu që e diela në thelb nuk ishte ditë zgjedhjesh dhe nuk ishte kushtetuese, pasi Presidenti është autoriteti i vetëm i fuqizuar nga kushtetuta për të përcaktuar datën e zgjedhjeve.
Kjo është ajo për të cilën doja t’ju pyesja në mënyrë specifike. Presidentin tha se zgjedhjet duhet të anuloheshin, por votimi vazhdoi. Çfarë thotë kjo në aspektin kushtetues, përveç faktit se krijoi një rrëmujë të madhe për Shqipërinë?
Kjo është sipërfaqja e krizës që Shqipëria ka përjetuar që prej shumë vitesh. Ne po përballemi jo vetëm me në sistem qeverisjeje një-partiak, i cili ia ka kaluar të gjitha kompetencat zotit Rama, i cili tani kontrollon qeverinë, parlamentin, gjyqësorin, mediat dhe ekonominë, me stilin e një despoti lindor …
Epo, ai thotë se e bëri këtë sepse fitoi zgjedhjet, ndërkohë që ju vendosët të tërhiqeshit. Pse nuk i besuat procesit zgjedhor?
Që nga janari deri në qershor, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle, gazetat britanike dhe kohët e fundit, gazeta gjermane Bild kanë publikuar dhe zbuluar përgjime të prokurorëve shqiptarë kundër mafies, në të cilat shfaqeshin biseda mes kryeministrit, ministrave dhe anëtarëve parlamentit me bosët e krimit të organizuar, duke bashkëpunuar për të vjedhur zgjedhjet e vitit 2017.
Dhe këto ishin zgjedhjet e kaluara për të cilat ju keni thënë gjithmonë se ishin vjedhur dhe, më vjen keq t’jua them, por akuzat dhe ekspozimet e mediave përfshijnë edhe partinë tuaj. Pra, çfarë duhet të mendojmë në këtë rast? A përfshihen të gjitha partitë në vjedhjen e votave?
Nuk ka implikime në lidhje me Partinë Demokratike. Ne nuk kemi vjedhur asnjë votë të vetme në zgjedhjet e vitit 2017 apo zgjedhjet e vitit 2015. Pretendimet e mediave janë pjesë e dosjeve zyrtare të anti-mafias të prokurorëve shqiptarë. Këto janë raste që janë nën hetim, por duke qënë se zoti Rama kontrollon gjyqësorin duke qënë se vendi është pa një Gjykatë Kushtetuese, pa një Gjykatë Supreme për më shumë se dy vjet, këto hetime janë ndalur dhe politikanët e përfshirë në këtë bashkëpunim me krimin e organizuar gëzojnë pandëshkueshmëri të plotë.
Cili është roli juaj dhe çfarë do të ndodh më pas, sepse nëse po thoni se këto zgjedhje janë të pavlefshme dhe nëse në fakt nuk kanë ndodhur, çfarë ndodh me kryeministrin, çfarë ndodh me parlamentin, çfarë ndodh me kryetarët e bashkive që janë zgjedhur. Nëse qëndrimi juaj është se ata nuk kanë asnjë autoritet, ateherë kush ka autoritet?
Autoriteti i takon popullit shqiptar dhe populli shqiptar e përdor atë përmes mënyrave që parashikon kushtetuta.
Por ata nuk mund ta ushtrojnë autoritetin në këtë në këtë moment, kështu që në duart e kujt qëndron fuqia tani?
Kushtetuta është shumë e qartë. Zgjedhjet mund të zhvillohen vetëm pasi të dekretohen nga presidenti. Ky nuk është një opinion, ky është një dekret. Është një akt kushtetues. Kjo është arsyeja pse nga një pikëpamje formale dhe ligjore, dje nuk kishte zgjedhje. Por problemi më i madh i Shqipërisë është se shumica e shqiptarëve dëshirojnë të hyjnë në BE, por kjo qeveri i sjell atyre kujtimet e errëta të së kaluarës dhe mënyrat dhe mjetet që po përdor qeveria e tanishme janë më afër atyre të despotëve lindorë sesa të vende duan të bashkohen me BE-në.
Sigurisht, e kuptoj atë që po thoni, por kryeministri dëshiron që ta vazhdojë i vetëm procesin e pranimit në BE dhe të fillojë ta paraqesë Shqipërinë si një kandidat të përgjegjshëm. Çfarë doni që të bëjë tani BE-ja? Mos të komunikojë më me të?
Kjo është ajo që thotë Kryeministri. Natyrisht, ne e dimë shumë mirë se BE-ja nuk do të pranojë kurrë një vend që nuk mund të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku kriminelët, politikanët dhe njerëzit e fuqishëm gëzojnë pandëshkueshmëri tortale, ku ka dy ose tre standarde për drejtësinë, ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë, ku nuk ka liri ekonomike dhe ku narko-shteti dhe bashkëpunimi i plotë i krimit të organizuar dhe qeverisë ka asgjësuar sundimin e ligjit.
Pra, po thoni që BE-ja nuk duhet të negociojë me Shqipërinë për momentin?
BE-ja ka folur shumë qartë. Ajo ka refuzuar negociatat. Kjo është ajo që është beteja jonë për vlerat evropiane, për hapjen e negociatave, por kjo nuk do të ndodhë me gënjeshtra dhe lojëra dhe duke shtrembëruar sundimin e ligjit. Kjo do të ndodhë vetëm pasi Shqipëria të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të bëjë ndarjen e pushteteve.