Bashkimi Europian do të financojë ndërtimin e tubacionit të transmetimit të gazit nga terminali i lundrueshëm i Vlorës në pikën dalëse të gazsjellësit TAP në Fier. Dakordësia e BE për këtë projekt është bërë e ditur gjatë mbledhjes së Samitit të Bashkimit Europian ndërsa lajmin e ka njoftuar Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një interviste televizive.
“Sot kemi marrë një lajm shumë të mirë që ishte totalisht i papritur, pavarësisht se kishim shumë kohë që diskutonim me Komisionin dhe Bashkimin Europian që kanë vendosur të mbështesin edhe ndërtimin e pjesës së parë të tubit transmetues të gazit për gjatësinë e projektit Adriatik-Jonian, por që është pjesa nga Vlora deri në exitpoint e Fierit, pra nga terminali i lundrueshëm i Vlorës për në exitpoint-in e Fierit ku janë 33 kilometra dhe është pjesa më e rëndësishme për territorin shqiptar. Kështu që na është shtuar dhe një projekt i ri sot”, nënvizoi Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se situata energjetike mori një vëmendje të shtuar gjatë diskutimeve të zhvilluara sot, për shkak edhe të krizës që është duke kaluar ky sektor, ndërsa renditi përfitimet që do të ketë vendi ynë si rezultat i projekteve që do të mbështeten nga BE.
“Me atë që Presidentja e Komisonit ka deklaruar pak muaj më parë kemi përfituar 85 milionë që janë injektim direkt në buxhetin e shtetit për tu përdorur për importet të cilat do të kemi në të ardhmen pasi për momentin jemi në një pozicion të mirë hidrik. Ndërkohë që në paketën e dytë, e cila zhvillohet përmes fondeve të WBIF ku secili nga 6 shtetet duhet të konkurroj me projekte që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve të shtuara të energjisë së rinovueshme që kanë të bëjnë me efiçencën e energjisë. Ne kemi marrë pjesë me tre projekte kryesore që është pajisja e 25 mijë kabinave me smart meter që do të bëj uljen e humbjeve teknike në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Kemi marrë pjesë gjithashtu me rritjen e numrit të abonentëve të cilët duan që të kenë panele të ngrohjes së ujit, për 20 mijë abonentë, ndërkohë që ne kemi hapur 2 mijë të parët me fondet e buxhetit të Agjenciës dhe e treta është ndërtimi i një parku fotovoltaik prej 50 megavatorësh në zonën e Belshit, në pronësi të KESH”, u shpreh Balluku gjatë një interviste televizive.
Zëvendëskryeministrja tha gjithashtu se nënshkrimi i marrëveshjes për roaming është një tjetër hap i rëndësishëm nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, teksa u shpreh se Shqipëria ka marrë mbështetje edhe për projekte të rëndësishme në infrastrukturë.
Samiti i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Shqipëri mblodhi sot në Tiranë përfaqësuesit më të lartë të politikës europiane dhe drejtuesit e shteteve.