Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim të mbajtur me gazetarët këtë të diel ka folur ndër të tjerat edhe për masat e sigurisë të cilat janë parashikuar të merren për Samitin e BE i cili pritet të zhvillohet në datën 6 dhjetor. Ai ka thënë se këto masa ekstreme janë të domosdoshme dhe janë të panegociueshme me askënd dhe për askënd.
“Samiti ka kohë që organizohet, është një nga ato organizime që përfshin shumë institucione dhe natyrisht përfshin një numër të konsiderueshëm personash dhe zyrash që janë në këtë rast të Bashkimit Europian ndër të cilat hynë edhe forcat e organizimit të gjithë sigurisë së Samitit duke pasur parasysh se mblidhen në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë jo vetëm 27 lider të Bashkimit Europian me delegacionet e tyre por edhe vetë delegacionet e Brukselit, delegacioni i presidentit të Këshillit Europian, delegacioni i presidentes së Komisionit Europian, pa harruar edhe pesë lider të tjerë që vijnë nga rajoni me këshillin e tyre. kështu që në këto kushte është afërmendsh që duhen marrë masa ekstreme sigurie që janë të panegociueshmë me askënd”, u shpreh kryeministri.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë tentativë për të negociuar nga Partia Socialiste më Partinë Demokratike, në mënyrë që protesta e parashikuar në 6 dhjetor të mos zhvillohet në atë ditë, Kryeministri u përgjigj:
“Partia Demokratike sot ka më shumë se një kuptim. Janë pjesë e një force që mban Partia Demokratike por është një forcë e shpërbërë. Nuk shikoj asnjë arsye për të negociuar me askënd. Siç e thashë perimetri i sigurisë të samiteve kombëtare nuk negociohet me askënd. Ndodh që forca, organizata, grupime të caktuara që janë kundër këtyre samiteve të bëjnë protesta. Nuk ndodh, nuk ka se si të ndodh që të bëhen protesta pro samiteve. Protesta kundër, po, ndodh, por ato zhvillohen jashtë perimetrit të sigurisë, në të gjitha rastet në të gjitha vendet, kudoqoftë dhe kurdoqoftë, kështu që nuk e shikoj si çështje mes Partisë Socialiste, jo e jo, por qeverisë dhe një pjesë e të ashtuquajturës opozitë. E shikoj si një çështje sigurie që i takon organeve përkatëse në bashkëpunim me strukturat përkatëse të angazhuara nga organizatorët. Këtë samit nuk e organizon Shqipëria, Shqipëria është vendi mikpritës që ka për detyrë të marrë të gjitha masat organizatori është Bashkimi Europian, që ky samit të ketë mbarëvajtje sikundër do e ketë. Çfarë ka këtu për të negociuar dhe me kë. Për të mos ju futur pastaj që kjo është një protestë absurde”, tha kryeministri Rama.
Më tej kryeministri shtoi: “Udhëhiqet nga një individ i shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe të gjitha të zezat e mundshme dhe të imagjinueshme që mund të përmblidhen në një copë letër. Përtej këtij vlerësimi, që është i njohur dhe i ditur. Këtu nuk jemi në kushtet e pasojave të vlerësimit, këtu jemi në kushtet që siguria e Samitit nuk negociohet me askënd dhe jam i bindur se askush nuk do e provojë që ta thyejë perimetrin e sigurisë. Jam i sigurt për këtë se është pa sens është pa kuptim. Është një çmenduri e një niveli që edhe çmendurakëve për të cilët flasim nuk u shkon. Pa hyrë pastaj në atë pjesën më të tmerrshme të gjithë kësaj që është njollosja e qëllimshme e një dite, e një ngjarje, për të tërhequr vëmendjen për halle personale dhe nga ana tjetër, për të mos e lënë Shqipërinë që të lulëzoj atë ditë në të gjitha mediat ndërkombëtare, por patjetër të ketë nga pas edhe një ferr, që po ishte ky samiti, por ishin edhe disa të tjerë që protestonin për narkoshtetin. Domethënë mblidhet e gjithë BE-ja për një narkoshtet. Një çmenduri”!
Kreu i qeverisë shtoi ndër të tjera, se nga ana e BE-së nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi në lidhje me faktin se atë ditë do të zhvillohet protestë nga ana e PD-së.
“Nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi. Nuk ka arsye të ketë asnjë lloj shqetësimi”, u shpreh Rama.