Politika Ndeshja Zvicër-Serbi, Rama sqaron heshtjen e tij: E panevojshme, do t’i fryja...

Ndeshja Zvicër-Serbi, Rama sqaron heshtjen e tij: E panevojshme, do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak

I pyetur gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe qytetarët mbi zgjedhjen e tij për të mos reaguar ndaj situatës së ndodhur në ndeshjen e Botërorit Zvicër-Serbi me lojtarët Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, kryeministri Rama tha se “nuk i fryhet zjarrit të nacionalizmit qesharak”.

Ai theksoi se dy futbollistët, pavarësisht kombësisë, janë qytetarë zviceranë. Sa i përket sanksioneve nga FIFA, Rama u shpreh se rregullat e saj janë të pranuara nga çdo futbollist dhe janë politika të vetë institucionit.

“Nuk kuptoj realisht pse duhet të flisja. Unë nuk jam kryeministër i Zvicrës, jam kryeministri i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga skuadra e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe padiskutim simpati të madhe të gjithë, për një ndeshje të veçantë, çfarë do bëja? Konkretisht, çfarë do bëja? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë dhe në një mënyrë aspak dinjitoze për hir të së vërtetës sepse është ekipi kombëtar i një shteti tjetër dhe do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak, por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. S’është i nevojshëm, nuk e shoh fare të nevojshme. Kush e bën këtë nuk bën gjënë e duhur.

Kështu që faleminderit për pyetjen meqë m’u dha mundësia sepse e kam dëgjuar si koment dhe është për të ardhur keq si mund të shkëputem nga skuadra e tyre dy lojtarë që janë qytetarë të denjë dhe të nderuar të atij shteti dhe për atë arsye luajnë me atë skuadër, për shkak të kombësisë së tyre të përdoren si mish për top për një lojë luftash ballkanike, është një… për sa i përket pastaj çështjes së sanksioneve, ato janë pastaj çështje që lidhen me politikën e FIFA-s e cila, ju e dini shumë mirë, ne e dimë shumë mirë, është një politikë tejet strikte për moscenimin e kuadrit në aspektin politik në asnjë lloj nuance e cila ka ose mund t’i jepen natyrë politike. Këtu mund të kemi ne mendime të ndryshme nga FIFA, por FIFA është qeveria e futbollit, nuk është as qeveria e Shqipërisë, as mediat shqiptare, as… kështu që janë rregullat të cilat kush merret me futboll i ka pranuar dhe duhet t’i zbatojë, kaq”, tha Rama.