Bashkimi Europian ka akorduar një paketë 80 milionë euro për Shqipërinë për të përballuar krizën energjetike.
Teksa e vlerësoi këtë si një shumë të konsiderueshme, kryeministri Rama në deklaratën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se Shqipërisë i duhen 6 herë më shumë para për të mos ndërhyrë në çmimin e energjisë.
“80 milionë euro nuk janë pak, është një shifër e konsiderueshme. Megjithatë, këto janë një e gjashta. Këtë vit ne na është dashur në total 460 milionë euro për të ruajtur në këto nivele çmimin e energjisë. Është një shumë marramendëse për tërësinë e buxhetit tonë, por është një shumë që ka ndikuar edhe për inflacionin.
Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon dhe arsyeja kryesore e inflacionit në rajon është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Nëse ne do të kishim relativizuar këtë mburojë. Nëse do ta kishim prekur sado pak çmimin atëherë kjo do të kishte reflektuar menjëherë tek të gjitha familjet”, tha Rama.
Rama u shpreh këtë enjte gjatë konferencës së përbashkët me shtyp me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen se qeveria nuk do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike. Ai theksoi se vendosja e fashës 800 KW nuk është rritje e çmimit të energjisë. Ai u shpreh se janë dy parametra që do të shikojnë nëse do të vendoset fasha për muajin nëntor, kursimi dhe reshjet.
“E dëgjoj të përsëritur pyetjen do hiqni dorë nga rritja e çmimit të energjisë. Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë. Nuk e kemi thënë kurrë këtë gjë. Vendosja e fashës nuk është rritje e çmimit të energjisë. Është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë të gjitha nevojat bazike, të gjitha pa përjashtim, pa pasur nevojë për më shumë. Në mbi 1 milionë abonentë familjarë, 1.2 më saktë, janë maksimumi 60 mijë familje që konstatohet se dalin mbi këtë tavan në kulimin e ngrohjes apo për ftohje. Ky është gjë tjetër në krahasim me fjalorin rritje e çmimit të energjisë. Edhe për këtë pjesë, por sidomos për faktorin psikologjik dhe patjetër edhe për të krijuar një filtër ndaj gjithë gënjeshtrave dhe gjithë fabrikimeve, gjithë helmimeve të përditshme të opinionit me të pavërteta që kanë terrorizuar një milet të tërë se do rritet çmimi i energjisë, një gënjeshtër e proporcioneve më të mëdha të mundshme, ne kemi shtyrë aplikimin e fashës për muajin Tetor jo sepse kështu deshëm ne, sepse po të ishte për atë që ne duam, do ishin bërë rroga dyfish, do ishin bërë pensionet dyfish e kështu me radhë. Por sepse ishin dy parakushte. E para patëm reshje, jo aq sa do donim, por mjaftueshëm për ta konsideruar si krijim mundësia dhe e dyta pamë një ulje konsumi, që do të thotë një sjellje pozitive për kursim. Aktualisht po e shohim çdo ditë sa i përket reshjeve nuk kemi shumë për të parë sepse qielli çdo ditë shkëlqen nga dielli, pra lajmi është i keq, dita është e mirë. Sa i përket kursimit përsëri shikojmë pozitivitet. Kemi ulje të konsumit. Nëse do të kursehet arsyeshëm mundësia që të veprojmë ndryshe me fashën krijohet. Ky alarm absurd këtu neglizhon komplet faktin që fasha 800 kilovat ka kohë që është vendosur në republikën fqinje të Kosovës, dhe pa kushte. Nuk na rezulton që ka prekur të gjithë popullin e Kosovës”, u shpreh Rama.