Aktualitet U raportua se u arrestua në Turqi, flet Ibrahim Lici: Jam i...

U raportua se u arrestua në Turqi, flet Ibrahim Lici: Jam i lirë, s’kam lidhje me vrasjen e Endri Mustafës

Në një deklaratë për mediat nga Turqia, shtetasi Ibrahim Lici hedh poshtë lajmin se ai është arrestuar ditët e fundit.

Lici deklaron se nuk është arrestuar dhe se jeton i lirë. Ai hedh poshtë dyshimet e ngritura ndaj tij për vrasjen e Endri Mustafës, duke deklaruar se kamerat e sigurisë dhe qelizat telefonike vërtetojnë, sipas tij, se ka qenë në Tiranë në momentin e vrasjes.

“Nuk jam arrestuar. Lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohem, për vrasjen e Endri Mustafës, kam dorëzuar kamerat në prokurori dhe qelizat telefonike që vërtetojnë se unë kam qenë në Tiranë në momentin që ka ndodhur krimi. Kjo është e vërtetuar me pamje dhe qeliza telefonike. Unë pres vendimin e gjykatës për të zbardhur ngjarjen dhe për të çuar përpara drejtësisë autorët e vërtetë. Edhe për vrasjen e vëllezërve Bilali nuk kam qenë asnjëherë nën hetim nga prokuroria dhe jam shpallur në kërkim nga policia, pra në kërkim policor si person për t’u marrë në pyetje vetëm se nuk jam gjetur në banesë.

Nuk kam pasur asnjëherë konflikt me vëllezërit Bilali. Shumë e çuditshme të kërkohet ekstradimi im në një kohë që nuk jam arrestuar dhe i bëj thirrje policisë të dalin në deklaratë se ku dhe kur më ka arrestuar sepse unë jam i lirë dhe në pritje të drejtësisë. Jetoj i lirë në Turqi dhe pres të zbardhet ngjarja. Fotot e mia tregojnë qartë jetën e lirë që bëj në shtetin turk”, rrëfen Lici.