Ministrat e BE-së në takimet e mbajtura në Paris kanë zgjedhur Kristalina Georgieva-n e Bullgarisë si kandidaten e bllokut për të kryesuar Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Deutche Welle” shkruan se votimi zbuloi ndarje të mëtejshme brenda Bashkimit Evropian.
Kristalina Georgieva siguroi një epërsi të qartë kundër rivalit të saj, ish-ministrit Holandez të Financave Jeroen Dijsselbloem, pas dy raundeve të votimit nga ministrat e BE-së të premten, thanë burimet diplomatike.
Por ekonomistja bullgare nuk arriti të fitojë një shumicë të kualifikuar në votimin e BE-së, e cila kërkon mbështetjen e 16 prej 28 vendeve anëtare të bllokut që përfaqësojnë 65% të 500 milion njerëzve të BE-së.
Megjithatë, ajo duket të jetë zgjedhja e BE-së. Pas votimit, Presidenti i Komisionit Evropian që po largohet, Jean-Claude Juncker e uroi Georgieva në “Twitter”.
“Urime, Kristalina Georgieva për nominimin tuaj si kandidate e Evropës për Drejtor Menaxhues i FMN-së. Ju i keni të gjitha cilësitë e nevojshme për të dhënë një kontribut efektiv në misionin e FMN-së”, shkroi ai.
Pas votimit, Georgieva tha se do të merrte një pushim nga përgjegjësitë në Bankën Botërore gjatë periudhës së emërimit në FMN.
Nëse konfirmohet, Georgieva do të përballet me një çështje tjetër. Ajo mbush 66 vjeç në gusht, por mosha maksimale për drejtorin menaxhues kur sapo merr detyrën është 65. Por “DW” shkruan se burimet diplomatike kanë thënë që BE dhe Shtetet e Bashkuara do të bien dakord të ndryshojnë rregullin e moshës.
Procesi i zgjedhjes së kandidates zbuloi ndarje të mëtejshme brenda Evropës midis veriut dhe jugut, dhe lindjes dhe perëndimit.
Një grup vendesh të udhëhequra nga Hollanda dhe Gjermania mbështetën Djsselbloem, por ishin më shumë Franca me shtetet jugore dhe lindore që mbështesnin Georgievën.
Georgieva ka mbajtur pozicionin e dytë më të lartë në Bankën Botërore që nga viti 2017. Ajo shërbeu si komisionere e buxhetit të BE-së nga 2014 deri në 2016, dhe komisionere e BE-së për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar nga 2010 deri në 2014.
Kandidatët për kreun e FMN-së duhet të paraqiten deri më 6 shtator. Vendet e tjera pritet të propozojnë kandidatë, por si donatorët më të mëdhenj Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë pjesën më të madhe të votave. FMN planifikon të zgjedhë kryetarin e saj të ri deri më 4 tetor.