Bebe Rexha ka rritur një sukses të jashtëzakonshëm në tregun ndërkombëtar. Dhe për herë të parë ka folur hapur për “anën e errët të industrisë së muzikës”.
Në një intervistë për Marie Claire UK, tha sesi fama dhe karriera në muzikë ndikoi në problemet e saj të shëndetit mendor.
“Kisha momente kur s’doja të dilja nga shtëpia. Qëndroja në një qoshe dhe tmerrohesha. Nuk e dija se çfarë ishte ankthi. Vetëm kur shkova tek terapisti, mësova mënyrën se si ta kontrolloja. Nisa të shkoja në terapi në fillim të 20-ave”, tha këngëtarja me origjinë shqiptare.
“Ushtrimet fizike, ushqyerja në mënyrë të shëndetshme dhe ndryshimi i prioriteteve ndikuan në përmirësimin e shëndetit tim mendor.”
Bebe tha se filloi të ndihej e pashpresë kur shtëpia e saj e parë diskografike nuk pranonte të publikonte këngët e saj dhe nuk e linte të largohej.
“Isha e dëshpëruar. I shkrova një letër shefit ekzekutiv ku i thashë: Nuk dua të jetoj më. Ju po ma bëni jetën të mjerueshme. Jam e trishtuar çdo ditë dhe po më mbani peng”, tha Bebe.
Revista citoi faktin se si këngëtarja shqiptare njihet si kompozitore e disa prej këngëve më të famshme të këngëtarëve Selena Gomez, Iggy Azalea, Rihanna dhe Eminem.
Bebe Rexha shënoi suksesin e saj më të madh këtë vit, duke arritur të nominohet në dy kategori në “Grammy Awards”.