Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka treguar anën e errët të industrisë së muzikës.
Ajo tha në një intervistë për “Cosmopolitan”, se të paktën dy herë, është tentuar të përdhunohet nga producentët.
“Kur arrita për herë të parë në LA, punova me një producent shumë të madh. Ai më vendosi në një dhomë me shumë kantautorë dhe muzikantë të tjerë që të gjithë dukeshin të droguar.
Ishte një producent tjetër që hynte në studio dhe më masazhonte këmbët.
Një herë ai u përpoq të shkonte më lart mbi gjunjë dhe po bëhej disi i ashpër, kështu që i tërhoqa këmbët.
Ai tha, jo, unë do të bëj atë që dua. Por unë isha rritur që të mos lejoja njeri të më prekë trupin në rast se unë s’dua”, tha Bebe.
Artistja shqiptare përmendi edhe një tjetër incident, që e cilësoi si “natën më të frikshme”, pasi ndodhej në një studio e vetme me disa meshkuj.
“Një natë unë isha vetëm në studio dhe një producent tjetër kishte një grup prej pesë ose gjashtë djemsh.
Unë kisha dëgjuar gjëra rreth tij nga e kaluara dhe thjesht nuk mund ta përballoja më.
Ndihesha sikur do të përdhunohesha. Në heshtje thirra një taksi nga kabina e regjistrimit, e cila ishte e mbyllur dhe dola prej atje.
Ishte nata më e keqe që kisha kaluar ndonjëherë”, tha Bebe.