Kryesore Begaj nga Prishtina: Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e...

Begaj nga Prishtina: Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e Kosovës

“Duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin, por duhet të dëgjojmë edhe ndërkombëtaret”. Ishte ky mesazhi që presidenti Bajram Begaj dha gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë.

Presidenti Begaj ndodhet në Prishtinë ku mori pjesë në forumin ndërkombëtar “Gruaja, Paqja dhe Siguria” të organizuar nga kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani.

Një ditë përpara se të votohet për anëtarësinë e saj në Këshillin e Europës, Begaj u shpreh se Shqipëria e ka për detyrë që të jetë një avokate shumë e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve unë nuk do i quaja shumë të mira politikisht siç është emri i zakonshëm, por marrëdhëniet janë siç duhet të jenë, jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore, jemi dy shtete, por jemi një komb dhe kemi për detyrë që t’i jemi njëri-tjetrit afër në çdo moment, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. E rëndësishme që të punojmë për popujt tanë, për mirëqenien e tyre dhe marrëdhëniet ekonomike duhet të zhvillohen, marrëveshjet duhet të implementohen sa më shpejt.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, një nga vlerat e Shqipërisë është që politika jonë jashtme, e linjëzuar me atë Europiane dhe Euro-Atlantike. Duke qenë pas një mandati tepër të suksesshëm në Këshillin e Sigurimit, duke mbrojtur vlerat njerëzore, natyrisht Shqipëria e ka për detyrë dhe do të bëjë gjithmonë këtë detyrë, të jetë avokate mjaft e mirë e Kosovës, për njohje të reja dhe për anëtarësime në organizatat ndërkombëtare. Jam shpresëplotë që nesër do të kemi votim të suksesshëm në Këshillin e Europës. Kjo do të na japë akoma më shumë frymëzim për të bërë punë më të mira në të ardhmen. Dëshiroj që bashkëpunimi jonë të vazhdojë, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të dëgjojmë ndërkombëtarët”, tha Begaj.

Nga ana tjetër, presidentja Osmani deklaroi se marrëveshjet mes dy vendeve “po rriten në numër, por edhe në cilësi.”

“Është detyra jonë, që të angazhohemi që këto marrëveshje të implementohen në praktikë,” shtoi Osmani.

Presidentja Osmani e ka vënë theksin tek votimi që do të bëhet ditën e nesërme në Këshillin e Europës, në të cilin ka thënë se Kosova e ka merituar të jetë pjesë e saj që në vitin 2010. Megjithatë, me mbështetjen e Shqipërisë, Osmani beson se do të ketë një rezultat pozitiv nesër për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill.

“Kemi pasur përkrahjen e Shqipërisë. Tani që ne po flasim, deputetët e Shqipërisë dhe Kosovës janë duke lobuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës me shpresën që nesër do të jemi të suksesshëm në këtë votim së bashku me Presidentin Begaj, Kryeministrin Rama dhe të gjithë përfaqësuesit shqiptarë, do të sigurohemi që Kosova të ketë përkrahjen e nevojshme në këtë organizatë, ku e ka merituar të jetë që në vitin 2010 e tutje qëkur morëm numrin e nevojshëm të njohjeve që përbëjnë mbi 2/3 në Këshillin e Evropës. Synimi është integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike dhe në këtë rrugë do të ndjekim dhe shembullin e Shqipërisë dhe në rrugë të qartë drejt BE dhe jemi të bindur se kjo është rruga e vetme dhe të gjitha reformat që po i bën Republika e Kosovës janë në këtë drejtim. Dy qeveritë tona kanë nënshkruar një numër të madh marrëveshjesh të cilat po rriten, angazhohem që këto marrëveshje të impementohen në praktikë. Kosova do ta përkrahë gjithnjë Shqipërinë në shtyrjen përpara të synimeve tona të përbashkëta. Në takimet tona, çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë, çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës. Krah për krah në këtë aleancë dhe vëllazëri, të bashkuar do të ecim para drejt sukseseve në familjen e madhe evropiane”, tha Osmani.