Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier nisi ditën e sotme një vizitë dyditore në Tiranë. Kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman në Shqipëri në 27 vite.
Steinmeier u prit në Presidencë nga kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj. Po ashtu, pritet që pas takimit mes dy krerëve të shtetit të ketë një konferencë për mediat.
Presidenti gjerman do të mbajë një fjalim edhe në seancën plenare që do të zhvillohet sot.
Në ditën e dytë të vizitës së tij, Steinmeier do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të ndryshme. Është parashikuar që të ketë një takim edhe me Kryeministrin Edi Rama.
Steinmeier vjen në Tiranë në kuadër të udhëtimit të tij në Ballkan. Më herët ai ka qenë në Shkup. Fokusi i tij do të jetë tek mesazhet sa i takojnë rrugës së Shqipërisë në familjen europiane, puna që është bërë deri më tani dhe mesazhet për të ardhmen.