Prokuroria e Posaçme ka reaguar për akuzat e ngritura nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe eurodeputeti Fredi Beleri, nuk janë lejuar të takojnë Ilir Metën në burg.
Lidhur me këtë akuzë, SPAK ka sqaruar se “në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.
Dhe se në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit. Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur”, thotë SPAK në reagim.
Sipas Blushit, “ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët. Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “vegël qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes”. Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet”.