Politika Beleri kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak, Gjykata e Durrësit shpall...

Beleri kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak, Gjykata e Durrësit shpall moskompetencën

Në Gjykatën e Durrësit u zhvillua sot seanca për shqyrtimin e kërkesës së Fredi Belerit për t’u lënë i lirë përkohësisht sa për të bërë betimin e tij si kryetar bashkie i Himarës.

Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencë dhe ia ka kaluar kërkesën Gjykatës së Lartë për interpretim.

Siç edhe ka ndodhur më parë për seancën e sotme ka pasur interes të lartë. Atje ishte prezente edhe ambasadorja greke dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Kërkesa për leje u shqyrtua nga Gjykata e Durrësit pasi ai ndodhet në paraburgimin e Durrësit, por edhe sepse Gjykata e Posaçme ka shpallur fillimisht moskompetencë.

Më 12 retor, Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën e parë për gjykimin në themel të dosjes në ngarkim të Fredi Belerit, i cili akuzohet se është përfshirë në korrupsion në zgjedhjet e 14 Majit.

Kandidati i zgjedhur për të drejtuar Bashkinë e Himarës do të gjykohet me proces të zakonshëm, sipas zgjedhjes së tij dhe përballë gjykatës do të dalin dhjetëra dëshmitarë dhe provat video dhe audio që SPAK thotë se ka kundër tij.

Beleri i ka mohuar akuzat dhe pretendon se nëpërmjet dëshmive do të provojë pafajësinë e tij.