Në Belgjikë do të ndryshohet kreu i qeverisë së tanishme në detyrë: Michel do të marrë postin e Donald Tuskut, ndërsa në vend të tij do të emërohet ministrja Sophie Wilmès, si ushtruese e detyrës së kryeministres.
Kryeministri i Belgjikës Charles Michel ka kumtuar në Bruksel, se ka mbetur vetëm që politikanja frëngjishtfolëse të betohet para mbretit Philippe dhe më pas mund të marrë postin që ai ushtron tani. Michel do të largohet më së largu në fillim të nëntorit nga posti i tij i tanishëm i kryeministrit dhe më 1 dhjetor do të emërohet si kryetar i Këshillit në Bashkimin Evropian, në vend të polakut Donald Tusk.
Charles Michelin në postin e kryeministrit do ta zëvendësojë 44-vjeçarja Wilmès, e cila deri tani ka qenë ministre në qeverinë e tij, e ngarkuar ndër tjerash edhe me çështjen e buxhetit. Michel është nominuar si pasardhës i Tuskut, në takimin e presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të BE, të mbajtur në fillim të korrikut. Në këtë samit është nominuar edhe politikanja gjermane Ursula von der Leyen si pasardhëse e Junckerit në postin e Komisioneres së BE.
Belgjika është një vend i përçarë politikisht dhe konsiderohet si një vend i vështirë për qeverisje. Prej dhjetorit të vitit 2018 ky vend ka një qeveri në detyrë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në maj të këtij viti, ekstremistët e djathtë janë forcuar politikisht. Ndërkohë që partitë tradicionale kanë humbur vota. Njëkohësisht është forcuar edhe përçarja mes banorëve flamandë dhe francezë në Valoni. Pjesa flamande është zhvendosur në krahun e djathtë politik më shumë, ndërsa ajo frankofone në të majtën. Të gjitha negociatat për krijimin e një qeverie stabile pas zgjedhjeve kanë dështuar deri tani.DW