Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka udhëtuar pranë rrugës së Rinasit për të treguar se një rrugë e re do të ndërtohet me urgjencë në këtë zonë për të lehtësuar trafikun.
Bashkë me kreun e ARRSH, Ergys Verdho, ministrja ka shpjeguar me një hartë se si do të kryhet lëvizja e mjeteve në rrugën e re që do të jetë gati në korrik, pra për dy muaj.
Sipas Ballukut fluksi i pasagjerëve në Rinas është rreth 30 mijë në total në ditë, një lëvizje që rëndon trafikun e rrugës ekzistuese.
Pak ditë më parë ARRSH mori vendim që rruga drejt Rinasit të ishte me një sens, por protestat e banorëve të zonës e detyruan qeverinë të tërhiqej nga ky vendim. Pas protestave, është vendosur ndërtimi i një rruge të re në këtë zonë.