Kryeministri Edi Rama njoftoi disa ditë më parë se kufijtë tokësorë të Shqipërisë do të hapen vetëm për shtetasit që janë rezidentë këtu, dhe që kanë një arsye madhore për të cilën kërkojnë të kthehen.
Rama tha se për të mbrojtur qytetarët shqiptarë dhe për të parandaluar përhapjen e Covid-19, askush tjetër nuk do të lejohet të kthehet në Shqipëri gjatë kësaj situate, ndërsa tha se ata të cilët do të futen, do të qëndrojnë 14 ditë në struktura hoteliere, duke i paguar vetë shpenzimet.
Ndërkaq ditën e sotme, pas njoftimit për disa masa lehtësuese, kreu i qeverisë njofton se në këto lehtësime përfshihet edhe riatdhesimi i shqiptarëve, duke nisur nga dita e hënë.
“Duke ju kërkuar 1000 herë ndjesë të gjithë atyre që janë rezidentë në Shqipëri dhe për arsyen madhore të mbrojtjes së popullit e të vendit tonë nga agresioni i armikut të padukshëm, kanë mbetur jashtë kufijve të mbyllur, si edhe duke u nisur nga mbajtja nën kontroll e kurbës së infeksionit deri tani, jemi gati të publikojmë të hënën planin e një hapjeje shumë graduale të rrugës së riatdhesimit, me kushtet përkatëse detyruese të karantinimit 14 ditor, nën rregulla të forta sigurie!
Duke i mirëkuptuar të gjitha ankesat e madje edhe sharjet e fyerjet, për mbylljen e plotë të kufijve dhe me bindjen se edhe ata, që nuk përmbahen fare në mallkimet që lëshojnë, e kuptojnë se masa ekstreme e ndalimit për t’u kthyer në këtë fazë, diktohet nga interesi jetik i mbrojtjes së shëndetit të popullit shqiptar, u lutem të gjithëve të bëjnë edhe pak durim”.