Aktualitet Ngeci në “rrjetën” e ONM-së, kryeprokurorja e Durrësit tërhiqet nga gara për...

Ngeci në “rrjetën” e ONM-së, kryeprokurorja e Durrësit tërhiqet nga gara për SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi sot tërheqjen nga kandidimi për tu emëruar prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të kryeprokurores së Durrësit Anita Jella me kërkesë të saj dhe deklarojë të përfunduar procedurën e ngritjes në detyrë për të.

Drejtuesja e Prokurorisë Durrës, Anita Jella, e cila kandidonte për një vend në Prokurorinë e Posaçme SPAK, “ngeci” në rrjetën e ONM. Edhe pse ka kaluar me sukses fazën e parë të vettingut më 10 dhjetor 2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka ankimuar vendimin e KPK për të duke kërkuar rivlerësim të saj në të 3 kriteret.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 1 (një) vendi vakant për prokuror në Prokurorinë e Posaçme përmes procedurës së ngritjes në detyrë dhe të caktojë Komisionin e Posaçme për zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e prokurorëve të SPAK dhe të ndjekë e të zbatojë procedurat paraprake për plotësimin e kushteve nga kandidatët.

Shprehja e interesit duhet të dorëzohet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga publikimi i shpalljes në faqen zyrtare të institucionit.