Sali Berisha mbajti këtë të mërkurë një konferencë për media, ku u ndal te arrestimet e kryera nga SPAK në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Në fjalën e tij Berisha theksoi se përgjegjës për këtë koncesion është dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja.
Sipas Berishës, kostoja e koncesionit u rrit 80 herë dhe u krye me një procedurë fiktive dhe antiligjore, pasi ish-ministri Beqja caktoi në konflikt interesi kushëririn e tij të parë Genc Burazerin që të kryente studimin e fizibilitetit.
“Për të realizuar vjedhjen e tij me Edi Ramën, Ilir Beqaj, emëroi me firmën e tij, në kundërshtim flagrant me ligjin e konfliktit të interesit, Genc Burazerin, kushëririn e parë, në komisionin e koncesionit. Pas kësaj, Ilir Beqaj, kushëririn e tij të parë, e caktoi për të bërë studimin e fizibilitetit të koncesionit.
Ligji shqiptar kërkon që ato të aplikohen kur ato ulin koston e shërbimit në sektorin publik. Burazeri i Beqajt, nxori me shifra false, se dhënia me koncesion e këtij shërbimi, ulte kostot, kur në të vërtetë ato rriteshin fiks me 80 herë.
Rama dhe Beqaj përdorën konfliktin e interesit për të firmosur kontratën e sterilizimit.
Edi Rama dje, në përpjekje in ekstremis, i rrek të mbronte biznesin e tij të ngritur në një kontratë të bazuar në konfliktin e interesit.
Por çfarë thonë ligjet tona në këtë rast? Referuar ligjit të koncesionit dhe prokurimit publik, pasi në këtë rast është bërë ndërthurja e të dyjave, Genc Burazeri ka pasur detyrë ligjore të nënshkruajë dy deklarata. Deklarata e para e konfliktit të interesit se ai nuk është asnjë person të afërt si drejtues në ministrinë e linjës. Deklarata e dytë ka të bëjë me konfliktin e interesit në shoqërinë në fjalë.
Në këtë çështje ndahen dy raste. Që ky person nuk ka nënshkruar deklaratën e parë, çka do të sillte anulimin automatik të koncesionit. Rasti i dytë është se ai e ka nënshkruar këtë deklaratë dhe ka mashtruar shtetin, pasi kushëriri i tij ishte ministri i linjës.
Në Kodin e Procedurës Administrative, i cili njëlloj si Kushtetuta dhe ligjet e tjera të vendit, nuk ekziston për Edi Ramën, parashikohet se akti administrativ është i pavlefshëm kur bie në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një dispozitë të këtij kodi. Pra, procedura e ndjekur është fiktive dhe antiligjore dhe sjell si pasojë një kontratë të pavlefshme.
Vjedhja është e provuar, kostoja është 80 herë më e lartë se ajo në shtet.
Në këto kushte, kontrata koncesionare konsiderohet se nuk ekziston pasi është zhvilluar dhe firmosur në kushtet e konfliktit të interesit. Ndaj dhe gjykatësi, me shumë të drejtë ka kërkuar anulimin e kontratës korruptive të sterilizimit”, tha Berisha.