Aktualitet Shtimi i masave të sigurisë për Altin Dumanin, reagon SPAK

Shtimi i masave të sigurisë për Altin Dumanin, reagon SPAK

Prokuroria e Posaçme ka reaguar në lidhje me shtimin e masave të sigurisë së kreut të SPAK, Altin Dumani.

Përmes një komunikate për media, SPAK pranon shtimin e masave të sigurisë për drejtuesin Dumani, ndërkohë që mohon lajmet se ai mund të jetë kërcënuar.

Sipas SPAK shtimi i masave të sigurisë është konform procedurave standarde.

“Nisur nga publikimet në media dhe interesi i lartë publik, informojmë se: Në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mbrohet nga Garda e Republikës e cila bashkëpunon dhe koordinon veprimet me Policinë e Shtetit. Mbrojtja e Drejtuesit të Prokurorisë është konform procedurave standarde të miratuara”, thuhet në reagimin e SPAK.

Prej rreth 2-3 javësh kreu i SPAK lëviz me makinë të blinduar, ndërsa pranë shtëpisë se tij është parë një prani policie e shtuar për ruajtjen e banesës.

Vetëm gjatë javëve të fundit, SPAK ka ndërmarrë një sërë operacionesh që kanë çuar në pranga persona të inkriminuar duke e vënë në shënjestër këtë institucion dhe të deklaratave politike.