Është arkitektura tradicionale e veçantë e qytetit të njohur si “Qyteti i një mijë e një dritareve” që e ka pozicionuar Beratin si një nga vendet e Trashëgimisë Botërore UNESCO në Shqipëri. I ndarë në dy lagje historike nga lumi Osum, qyteti bashkohet përmes urës së gurtë të Goricës. Dritaret karakteristike të shtëpive tradicionale reflektojnë njëra-tjetrën nga përtej lumit.
I rrethuar nga Tomori dhe Shpiragu, dy nga malet më mitike të Shqipërisë, Berati zë vend të veçantë dhe në hartën e adhuruesve të natyrës. Ngjitje mali, çiklizëm, rafting apo kayaking janë vetëm disa nga aktivitetet në natyrë që mund të realizoni përreth këtij qyteti.
Kalaja mesjetare e Beratit ofron gjithashtu një udhëtim të rrallë në kishat e vjetra të mbushura me ikonat e disa prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë, ku vlen të përmendet Muzeu Kombëtar i Onufrit.
Origjina: Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnoni.
Themelimi: 313-310 Para Krishtit si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea.
Emrat që ka përdorur: Antipatrea, Albanorum Oppidum, Pulheriopolis.
Gjurmët e para: 2600 para Krishtit
Pushtuar: grekët, maqedonasit, bullgarët, osmanët,
1961: Shpallet Qytet Muze
2008: Shpallet Pasuri Botërore nga UNESCO.
Objektet kryesore: I gjithë qyteti, Kalaja, Ura e Goricës, etj.