Një video e publikuar në mediat sociale i ka kushtuar shumë një 34-vjeçari nga Tepelena. 34-vjeçari me iniciale A.K. dy ditë më parë ishte filmuar teksa kryente manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e tij dhe të qytetarëve të tjerë.
Ai shihet teksa lë timonin e mjetit dhe hipën mbi makinë dhe gjatë gjithë kohës filmohet dhe pamjet janë publikuar në Tik Tok dhe mediat e tjera sociale. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e brendshme të fshatit Dragot, Tepelenë, ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”.
Ky person është ndëshkuar me një gjobë 60.000 Lekë të rinj dhe i është bllokuar patenta. Po ashtu i ndalohet që të shesë makinën deri në shlyerjen e gjobës.
Policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.
Ndërkohë të tilla video kohët e fundit shfaqen në rrjetet sociale si Tik Tok, ku të rinjtë sfidojnë njëri-tjetrin duke rrezikuar jetën.