Politika Berisha akuzon diplomatët për përçarjen e PD: Ky uragan ishte llogaritur të...

Berisha akuzon diplomatët për përçarjen e PD: Ky uragan ishte llogaritur të mos ndodhte

“Ky uragan madhështor në qendër të Tiranës, ishte llogaritur të mos ndodhte. Shqipëria ishte llogaritur që sot të ishte një vend pa opozitë”. Kështu iu drejtua Sali Berisha nga arresti shtëpiak protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se sot vendi përballet me shtatoren e gjallë të diktatorit dhe jo atë të bronxit të rrëzuar 33 vite më parë.

“Uragani juaj sot është uragan i lirisë, keni mbushur sot Tiranën nga anë e kënd. Shqipëria nga të gjitha vendet e Europës e botës, fitimtarë, fitimtarë. 20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e  tyre. Përballemi me një diktaturë të re që bazohet në aleancën e pushtetit me krimin në shndërrimin e krimit në votën dhe votës në krim e vjedhje të lemeritshme nga pishtarëve dhe trafikun e tonelatave drogë që ka shtrirë përtokë dollarin dhe monedhën europiane. Sot nuk kemi shtatoren e bronxit, por shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama pasardhësit të bllokmenit hoxhist që njëlloj si diktatori  tjetër ka përqëndruar të gjitha pushtetet në dorën e tij që do një Shqipëri pa opozitë, vret shpresën e qytetarëve si askush tjetër në historinë kombëtare. Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij 1 milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët. Po sot është ditë besimi e guximi, fjala që unë po mbaj para kush ishte llogaritur që të mos mbahej, ky uragan ishte llogaritur që të mos ndodhte, bashkimi ynë ishte llogaritur të mos ndodhte dhe Shqipëria ishte llogaritur që sot të ishte një vend pa opozitë, një narkoshtet pa opozitë në brigjet e kaltra të Adriatikut”.

Berisha akuzoi kryeministrin për shpalljen non grata të tij nga DASH, pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt, por nga lobimi i MCGonigal.

“E nisën kundra nesh këtë betejë dy vite më parë me dy fjalë famëzeza që përdoren si plumba kundër opozitës shqiptare; Non grata një term i përdorur si dikur armiku i popullit. Menduan se do na asgjësonin, asnjë provë, asnjë fakt asnjë dokument. Por gabuan Sot pas 3 vitesh hetime intensive në Shqipëri e botë nuk kanë gjetur asnjë provë, fakt e dokument të provojë akuzën e tyre të rreme. Vetëm 4 ditë më parë gjykata e Uashingtonit dënoi me McGonigal një lobist i shpalljes sime non grata nga Edi Rama”.

Ai akuzoi diplomatët dhe ambasadorë si të korruptuar nga qeveria për të përçarë opozitën.

“Fill pas kësaj na grabitën vulën e partisë, ndonëse dy palë zgjedhje 3 votëbesime, ju kishit shprehur vullnetin tuaj. E ndaluan emrin e Sali Berishës në fletët e votimit, na mohuan financat  komisionerë në qendrat e votimit. Qeveria, mediat më të fuqishme diplomatë e ambasadorë të korruptuar nga narkoqeveria i frynë zjarrit të përçarjes e konfliktit mes nesh dhe njëlloj si në Rusinë e Putinit lideri i opozitës u arrestua si person nën hetim dhe iu ndalua fjala e lirë sepse denoncoi korrupsionin qeveritar e ndërkombëtar”.