Kryesore Berisha njofton betejë pa kthim të mosbindjes civile kundër “diktaturës së dytë”

Berisha njofton betejë pa kthim të mosbindjes civile kundër “diktaturës së dytë”

Sali Berisha ka njoftuar nisjen e betejës pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, siç e cilësoi ai për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë.

“Ky 20 shkurt është edhe më i rëndësishëm se 20 shkurti i rrëzimit të shtatores së diktatorit. Sepse ne inaugurojmë sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Betejën për çlirimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura e shëmtuar e Edi Ramës. Ne inaugurojmë betejën popullore pa kthim për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë, të mbyllura nga regjimi i Tiranës”.

Duke e cilësuar protestë-uragan, Berisha tha se “përcjellim mesazhin për botën se populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, dmth narkoshtetin të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më parë”.

Ai shprehu mirënjohjen ndaj protestuesve që në ditët më të zeza për opozitën shqiptare, ju nuk u dorëzuan.

“Të dashur miq, këto dy vite ju zgjodhët të vështirën, zgjodhët të pamundurën, zgjodhët Davidin në betejën me Golian, vetëm e vetëm se pse ju besoni te e vërteta. Ju keni 10 vite në opozitë të pamerituar, topitëse, por edhe besëprerë. Ju keni fëmijë, ju keni 1001 derte dhe halle, me punë dhe pa punë, me para dhe pa para, të sëmurë, me ilaçe dhe pa ilaçe. Të gjithë ju në një moment kritik për kombin, ju zgjodhët të mbronit të vërtetën, bindjet e ndershme tuajat. Në një skenar të Edi Ramës dhe mafies ndërkombëtare, që synonte të asgjësonte opozitën e vërtetë, ju vendosët të sakrifikonit interesat personale dhe të luftoni me gjoks, ballëlartë për të vërtetën. Të bindur se kjo ishte rruga për të mbrojtur dinjitetin tuaj, për të mbrojtur opozitën, sovranitetin, pluralizmin, interesin kombëtar, të ardhmen e Shqipërisë. Ju jeni heronjtë e vërtetë”.