Politika Berisha: Basha, peng me dosjen e larjes së 700 mijë dollarëve. Alibeaj...

Berisha: Basha, peng me dosjen e larjes së 700 mijë dollarëve. Alibeaj ka fshehur vëllanë e tij kriminel

Kryedemokrati Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët është shprehur se ajo që quhet “përçarje e opozitës” nuk është e tillë, por është “pengmarrje”.

Për Lulzim Bashën, kryedemokrati Berisha tha se është i marrë peng me dosjen e larjes së 700 mijë Dollarëve teksa e akuzoi për të tjera afera, për të cilat tha se zinxhiri i tyre është i gjatë.

Sali Berisha: Përçarja e opozitës është pengmarrje, ndaj duhet t’i quajmë gjërat siç janë. Lulzim Basha është i marrë peng me dosjen e larjes së 700 mijë dollarëve. Ju e dëgjuat raportin, ato nuk kanë lidhje me PD-në, ato janë transaksione të Bashës. Raportet e CIA-s thonë që janë para ruse. Lulzim Basha është peng edhe i aferave të tjera. Zinxhiri i aferave të tij është i gjatë.

Për Enkelejd Alibeajn, kryetari i PD-së Berisha tha se ndan të fshehtat me Edi Ramën dhe për Berishën, kjo është arsyeja pse sipas tij, ai mbahet peng për një çështje që ka lidhje me vëllanë e tij.

Sali Berisha: Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, që është arrestuar për rrëmbimin me armë në vendet e BE dhe sot nuk dihet se ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën. Ndaj dhe mbahet peng. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë. Por ia kanë mbyllur dhe e mbajnë peng dhe e shëtisin.  Kjo nuk është përçarje, është pengmarrje. Unë i përgëzoj të gjithë ata që u larguan. Geni i tyre për pluralizmin i shtyu që të largohen ndaj këtij aventurieri. Ndaj të dyve. Mos mendoni se Basha ka vetëm akuzën e parave. Ka edhe të tjera. Sigurisht ndikon në tërësi, të gjitha këto ndikojnë. Vrasjet ndikojnë, sulmet me armë ndaj Top Channel ndikojnë. Se çfarë sigurie ka këtu. Prandaj opozita po bën thirrje që të firmosim ndryshimin më 14 Maj.