Aktualitet “Kemi gjetur prova nga kontrollet”, Dumani: SPAK nuk i merr leje askujt...

“Kemi gjetur prova nga kontrollet”, Dumani: SPAK nuk i merr leje askujt nëse duhet të thirret Ahmetaj

Në një bashkëbisedim informal me gazetarët, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani deklaroi se janë gjetur prova në ambientet e shtëpisë së partneres dhe ish-partneres së Ahmetajt.

Dumani tha se bllokimi i pronave është preventiv, masë sigurie me qëllim me qëllim që mos të tjetërsohet pronësia.

Kreu i SPAK theksoi se institucioni që ai drejton nuk i merr leje askujt për të marrë në pyetje persona që i konsideron kyç për hetimet. Në këto kushte, ai tha se nëse do të konsiderohet e nevojshme edhe Ahmetaj do të shkojë të deklarojë.

Dumani shtoi se ka mundësi dhe për fshehje të pasurisë jashtë, element që është i përfshirë në hetim.

“Nuk i marrim leje kërkujt e thërrasim kushdo të jetë për ta marrë në pyetje, Arben Ahmetajn apo kushdo që të jetë. Kontrollet janë në dinamikën e hetimit ku grupi vlerësoi se në këto ambiente mund të gjendeshin prova. Kemi gjetur prova. Sekuestro është preventive, masë sigurie me qëllim me qëllim që mos tjetërsohet pronësia. Në verifikim është çdo gjë. Kemi nisur letërporosi në shumë shtete jo vetëm në një shtet. Kërkon kohë, ka që janë përgjigjur, ka që janë në proces. Hetimi përfshin çdo gjë, përfshirë edhe mundësinë e fshehjes së pasurisë jashtë. Patjetër që do e thërrasim Ahmetajn, nëse do e shikojmë të nevojshme,” – deklaroi Dumani.