Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me të rinj dhe intelektualë në Durrës. Ish-Kryeministri u ndal tek çelja e negociatave dhe ngritja e flamurit të BE-së para kryeministrisë ditën e sotme nga Edi Rama. Berisha u shpreh se është fatkeqësi e madhe që Rama ta mbante në dorë atë flamur.
“Edi Rama sot ngriti flamurin e BE para Kryeministrisë. Ai flamur është flamur vlerash, i vlerave, i thesareve kulturore në radhë të parë të paçmuara, është flamur i vlerave njerëzore të lidhura me lirinë. E vërteta është që, fatkeqësi më të mëdha për atë flamur se ta mbante sot në dorë Edi Rama nuk kishte. E kam deklaruar në 7 Korrik, armik, e kam thënë me bindjen më absolute, është armik sepse nuk lejon shqiptarët të votojnë. Liria votën ka. Nëse nuk ke votën, nuk ke liri, nuk ke dinjitetin. Edhe pushtuesit të lejonin të votoje, por të caktonin një përfaqësues të pushtuesit. Ky faktikisht pasi shkelmoi votën e shqiptarëve e përzuri nga PS. Nuk i konsideroj socialistët armiq, konsideroj Edi Ramën sepse dhe atyre ua hoqi votën”, u shpreh Berisha.
Madje sipas kreut të selisë blu, Rama edhe sot mashtroi.
“Dhe sot mashtroi. 4 vite më parë hapi shampanjën, u hapën negociatat, shpërndau dekorata, hodhi fishekzjarrë. Flamuri i BE, çdo njeri që e sheh i ka ca yje, ato janë vendet anëtare, jo negociatat, s’ka yll për Turqinë që ka 20 vjet që negocion. Mashtruesi është mashtrues. Çfarë ndodh para dy vitesh? Një nga shkaqet ka qenë Shqipëria, ua tregoj unë pse. Është futur klauzola që përjashtohesh nga negociatat. Nuk ka ekzistuar më parë. E futi me insistim presidenti francez. Pse u them unë ju për Shqipërinë? Shqipëria është aksionere në këtë klauzolë për shkak të kriminalitetit shqiptar. Thotë, e keni dëgjuar, kriminalitet ka edhe Holanda, Franca. Po, ka. Por këtu nuk ka kriminalitet holandez, apo francez. Kurse atje janë bandat shqiptare. Kjo është arsyeja”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së tha se nuk do të shtrëngonte duart me Edi Ramën edhe nëse ky i fundit do ta ftonte në Bruksel. Ai tha se kreu i qeverisë shkoi në Bruksel si monist.
“Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE. Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria…por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve. Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit”, u shpreh Berisha.