Bota “Gjeografia ka ndryshuar tashmë”, çfarë paralajmëron Sergej Lavrov

“Gjeografia ka ndryshuar tashmë”, çfarë paralajmëron Sergej Lavrov

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, pas akuzave të SHBA-së se Rusia po përgatitet për aneksimin e pjesëve të Ukrainës, është shprehur në një intervistë për median shtetërore të Rusisë, se përqendrimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë nuk është vetëm në lindje të vendit.

Gjatë intervistës, sipas BBC, ai la të kuptohet se strategjia e Moskës kishte ndryshuar që në momentin kur Perëndimi furnizoi Ukrainën me armë me rreze veprimi të gjatë. Sipas tij, Rusisë do t’i duhet të shtyjë forcat ukrainase më tej nga vija e frontit për të siguruar, sigurinë e saj.

Gjithçka ka nisur në muajin shkurt të këtij viti, kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës duke pretenduar se rusishtfolësit në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës kishin pësuar një gjenocid dhe se ata duhej të çliroheshin.

Tashmë, pasi kanë kaluar pesë muaj, Rusia ka pushtuar pjesë të lindjes dhe jugut të vendit, por ka dështuar në qëllimin e saj fillestar për të “kapur” Kievin. Që atëherë, ajo ka pretenduar se objektivi i saj kryesor ishte çlirimi i Donbasit.

Që nga shkurti, shtetet perëndimore e kanë furnizuar Ukrainën me armë gjithnjë e më të fuqishme në  mënyrë që ajo të mund të mbrohet nga agresioni rus.

Lavrov ka thënë se pikërisht kjo e ka detyruar Rusinë të zgjerojë më tej objektivat e saj.

“Ne nuk mund të lejojmë që pjesa e Ukrainës e kontrolluar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, të zotërojë armë që do të përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin tonë,” është shprehur ministri Lavrov në intervistën me Margarita Simonyan.

Ministri i Jashtëm rus i ka përshkruar si një “zemërim të pafuqishëm” dhe një “dëshirë për t’i përkeqësuar gjërat” veprimin e perëndimit, që ka furnizuar me armë Ukrainën. Lavrov i është referuar në mënyrë specifike sistemit të raketave me rreze më të gjatë veprimi, Himars, të dërguara kohët e fundit nga SHBA, armë me të cilat Ukraina ka pasur një farë suksesi.

Për dy ditë me radhë forcat ukrainase kanë përdorur Himars për të goditur një urë kyçe strategjike në Kherson-in e pushtuar, thonë raportet. Ura Antonivskyi është një nga dy urat ku Rusia mbështetet për të furnizuar zonat që ka pushtuar në bregun perëndimor të lumit Dnipro, duke përfshirë qytetin Kherson.

“Gjeografia ka ndryshuar tashmë,” është shprehur Lavrov, duke përmendur rajonet jugore Kherson dhe Zaporizhzhia si objektivat e fundit të Rusisë. Forcat e Moskës tashmë kanë pushtuar pjesë të të dy rajoneve të përmendur nga ministri Lavrov