Nga Pogradeci, ish-kryeministri Sali Berisha dha lajmin se nesër do të dorëzohen në selinë e PD mbi 4200 firma të delegatëve demokratë që kërkojnë thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.
Gjithashtu, ish-kryeministri ftoi kreun e qeverisë Edi Rama në një debat televiziv, që sipas tij t’i numërojë të gjitha mëkatet që ka bërë gjatë këtyre 8 viteve, përpara se ta largojë nga pushteti.
“Edvin je i pashpresë, Foltorja të ka kallur datën. E garantoj se me Sali Berishën do të bashkohen të gjithë burrat e gratë që i besojnë dinjitetit njerëzor. Të gjithë ata që i thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe Atdheut, Atdhe; të gjithë ata që e konsiderojnë mafien si rrezik kombëtar. Pasi të të japim duart të ftoj në një debat televiziv të t’i numëroj para burrave të gjitha mëkatet dhe pastaj mbathja për Beograd se atje të presin duarhapur”.
Berisha ka njoftuar se janë mbledhur 4200 firma për Kuvendin Kombëtar dhe do të dorëzohen nesër në selinë blu.
Berisha iu drejtua Bashës duke i thënë të përkulet para këtyre firmave, ndërsa theksoi se në Kuvend do të jenë 10 mijë.
“Kam një lajm të keq për peng kryetarin. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti përkulu para firmave të anëtarëve të PD se 4200 kanë firmosur. Do të vijnë në atë Kuvend 10 mijë të tjerë do të jetë festa më e madhe e PD në historinë e saj, do të jetë triumfi i saj, do të jetë rikthimi i saj i plotë dhe i sigurt në fitoren ndaj narko-shtetit”, u shpreh Berisha. Ish-kryeministri ka njoftuar më herët se Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më 11 Dhjetor.