Politika Berisha: Isha në dijeni që Basha punonte me Ramën për projektin e...

Berisha: Isha në dijeni që Basha punonte me Ramën për projektin e Soros

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se ka qenë në dijeni që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkëpunonte me Kryeministrin Edi Rama për projektin e miliarderit amerikan George Soros.

Nga Pogradeci, ku këtë të martë u mbajt Foltorja e radhës me demokratët, Berisha theksoi se pavarësisht këtij fakti, vazhdoi të punonte për fitoren e Partisë Demokratike dhe promovimin e Lulzim Bashës.

“Lulzim Basha ishte njëri nga ata të cilët punonte së bashku me Edi Ramën në projektin e George Soros, unë këtë e kisha marrë vesh. Por kjo nuk më pengonte mua aspak që të bëja gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike.

Në qoftë se ai i kishte lejuar vetes të bashkëpunonte me kundërshtarët tanë kundër meje, unë nuk i lejoja vetes një gjë të tillë.

Dhe 8 muajt e fundit jam përpjekur me të gjithë forcën time nga studio në studio për të promovuar kryetarin tonë në mënyrë që ne të fitonim, se për mua fitorja ishte kryesore”, u shpreh Sali Berisha.

“A do ta nisje Foltoren po të mos ishe përjashtuar nga Basha?”

Ish-kryeministri Berisha është pyetur sot në Pogradec nëse do të niste “Foltoren” nëse nuk do të ishte përjashtuar nga Grupi Parlamentar nga Lulzim Basha.

Berisha pasi ka shpjeguar të gjithë raportin e tij me Bashën në muajt e fundit, tha se nuk mund të pajtohej kurrë me të, pas katër humbjeve dhe me shkeljet e bëra në statut.

“Por edhe nëse nuk do të ishte kjo, unë nuk do të pajtohesha kurrë me kryetarin Lulzim Basha. Katër humbje, nuk mund të pranohen, prandaj do të vendosim në statut që kush humbet zgjedhjet e përgjithshme do të largohet. Katër kryetar ka ndërruar partia simotër në Austri. Unë nuk e di si qëndron ai ende në detyrë”, tha ndër të tjera Berisha.