Gjatë konferencës me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se ish-zyrtari i lartë i CIA-s, McGonigal mund të dënohet deri në 80 vjet burg për veprat penale që ka kryer, ndërsa bëri thirrje që po aq të dënohet edhe Kryeministri Rama.
“Edi Rama duhet të pësojë fatin e Charles McGonigal. Ai ka kryer një nga aktet më të rënda në historinë 100-vjeçare në marrëdhëniet me SHBA. Unë nuk them se Edi Rama i dobësoi karakterin amoral një zyrtari që kishte një besim aq të lartë, sa pakkush tjetër, në vendin e tij.
Por kryeministri i një vendi partner, nuk mundej kurrë të shfrytëzonte për qëllimet e veta, as dobësinë më të vogël, sikur të kishim të bënim me një fuqi armike, dhe jo me partnerin kryesor strategjik. Edi Rama duhet të ikë sa më parë. Është njëra anë çështja penale me të cilën do merret drejtësia në dy vendet, por ana morale është tmerrësisht e rëndë.
Ka përdorur korrupsionin. Se çfarë tregon ky rast? Ky tregon përdorimin e korrupsionit ndërkombëtar kundër opozitës shqiptare, tregon se Tirana e Edi Ramës është një qendër botërore e korrupsionit të njerëzve, tregon se Edi Rama nuk njeh asnjë parim për interesa të pushtetit të tij.
Po lexoja sot se McGonigal mund të shkojë deri në 80 vite dënim. Absolutisht asnjë vit më pak nuk meriton Edi Rama se ai. Ka kryer akte të tmerrshme, që nuk i bën kurrë kryeministri i një vendi partner.
Ka përdorur segmente të policisë sekrete të Enver Hoxhës, për të realizuar një akt makabër në marrëdhëniet mes dy vendeve. Edi Rama duhet të zbërthehet. Thashë që do ketë komision hetimor parlamentar, do ketë bashkëpunim me SHBA për t’i shkuar gjer në fund kësaj çështje”, tha Berisha.
Berisha: A e përdori Kim lobimin te McGonigal për të mbuluar gënjeshtrat e saj? SHBA të hetojë
“Hetimi do të jetë kompleks. Oleg Deripaska ka arritur gjer në statusin e investitorit strategjik në Shqipëri. Kjo është e vërteta. Përveç të tjerash gjithçka do të hetohet. Dhe këtu ne nuk heqim dorë.
Lidhur me zonjën Kim, dihet botërisht qëndrimi im ndaj saj dhe i saj ndaj meje. Nuk mund të them se cili është roli i saj në aferën Rama-McGonigal, i takon drejtësisë në SHBA të bëjë hetimin e përgjithshëm. Ka vetëm një deklaratë, të cilën nëse u kujtohet, unë i jam përgjigjur flakë për flakë. Në një nga intervistat e saj, ajo shprehet se ka bërë hetime edhe FBI.
Në këtë intervistë, ajo tha atë që DASH nuk e ka thënë kurrë. Tani që del lobimi i McGonigal, tani e din ajo nëse e përdori për të mbuluar gënjeshtrat e saj ndaj qeverisë amerikane për personin tim, unë ia la për hetim drejtësisë së SHBA. Ajo është qytetare e atij vendi mik dhe ata do e shqyrtojnë këtë punë“, tha Berisha.