Politika Berisha: Janë zhdukur gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me...

Berisha: Janë zhdukur gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se ka shkatërruar sistemet TIMS dhe MEMEX për të fshehur gjurmët e udhëtimeve të Taulant Ballës me trafikantë.

“Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka qenë më e pasigurt se këto ditë. Vetëm shkatërrimi i sistemit të TIMS dhe MEMEX. Qëllimi ishte te zhdukeshin gjurmët e lidhjes së qeverisë me trafikantët. Të zhdukeshin gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë. Një polic që ishte një lloj pengese, u largua në mënyrën më mafioze nga detyra e tij. Shqiptarët nuk morën vesh asnjë argument se pse kryepolici i vendit u largua nga detyra, përveç lidhjeve të Çuçit me Ramën. Përveç rënies së tij në hekurin e nxehtë. Ndaj dënoj me ashpërsi këtë akt. Dënoj qëndrimin, fshehjen që bën Edi Rama, Bledi Çuçi”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka marrë nën kontroll edhe Shërbimin Informativ. “Ka çuar tani një zëdhënës të vetin, se atë shefin e SHISH e dërgoi për shkollim, se paska qenë pa shkollë ky Helidoni, dhe çoi këshilltarin e tij që nuk është marrë kurrë me shërbimet inteligjente. Pra, ka shtrirë tërësisht kontrollin ne çdo qelizë. Siguria është më në rrezik se asnjëherë. Shkalla e papërgjegjëshmërisë së tij është më e madhe se çdo herë. Pas çdo firme që vendos është një vjedhje e re. Pas çdo ligji që sjell në parlament, ka një grup interesi”.