Ka mbërritur sot në Gjykatën e Posaçme kërkesa Sali Berishës, për përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka.
Sipas njoftimit zyrtar nga Gjykata e Posaçme, mësohet se është paraqitur sot në orën 09:45 shkresa zyrtare nga pala mbrojtëse e Berishës. Këtë kërkesë e ka marrë nën shqyrtim gjyqtarja Flora Hajredinaj.
“Në kryesekretarinë e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj. Gjyqtarja Flora Hajredini do te shqyrtoje kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka”, thuhet në njoftimin zyrtar të GJKKO-së.
Një ditë më parë, avokati mbrojtës i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, tha se kanë kërkuar në gjykatë përjashtimin e saj nga seanca.
Ndonëse ka refuzuar që të paraqitet personalisht në GJKKO, Berisha ka autorizuar avokatët e tij dhe trupa gjykuese e ka pranuar kërkesën që gjykimi të vijojë në prezencë të mbrojtjes.